AktualitetPolitikëTë fundit

Basha pas takimit me delegacionin e PE: Rama ka shkatërruar demokracinë, miqtë tanë do e kuptojnë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një dalje për mediat pas takimit me delegacionin e Parlamentit Europiani, u shpreh se u ka shpjeguar atyre se kryeministri Rama ka shkatërruar demokracinë.
‘Dua të falënderoj Euro-deputetët për mundësinë që i dhanë opozitës së bashkuar për të prezantuar gjendjen kritike ku ndodhet demokracia shqiptare, ku në Shqipëri nuk ka një qeveri që punon për popullin, por për krimin. Një nga problemet e mëdha është dezinformimi që Edi Rama me paratë e drogës bën. Shqipëria ndodhet në një situatë të rëndë dhe mund të zgjidhet vetëm me një qeveri transitore dhe zgjedhje të lira. Zgjidhja e kësaj situate nuk vjen me arrestimin fasadë të Vangjush Dakos, sa për sy e faqe. Kjo zgjidhjen vjen vetëm me një qeverisje transitore dhe zgjedhje të lira

Detyra jonë është të shpjegojmë realitetin që shqiptarët e vuajnë përditë. Në këtë fazë ku ndodhet vendi, ku synon të hapen negociatat me BE-në, duhet të sqarojmë se Edi Rama me veprimet e tij ka shkatërruar stabilitetin e vendi”, u shpreh Basha.

Kreu i PD shkoi më tej teksa deklaroi se Rama jo vetëm që ka shkatërruar demokracinë në Shqipëri, por edhe se ka filluar të ndërhyjë në çështje delikate në rajon si çështja e ndryshimit të kufijve.

Rama në emër të stabilitetit ka shkatërruar demokracinë. Miqtë tanë që duan të mirën e Shqipërisë hap pas hapi do ta kuptojnë se fillimisht është demokracia dhe më pas stabiliteti, gjë që Edi Rama e ka shkatërruar. Rama nuk do të mjaftohet me stabilitetin e vendit që e ka bërë copë e çikë, e më pas jep edhe mend për stabilitetin në rajon duke dhënë ide për ndryshime kufijsh. Kjo garë për të zbuluar të vërtetën është në rrugë fituese. Me durim dhe me mirënjohje ndaj ndërkombëtarëve”, tha ndër të tjera kreu i PD-së.

Ai mohoi të ketë bisedime mes tij dhe Ramës, pavarësisht deklaratave nga delegacioni i BE se do të negociojnë mes palëve për të kaluar krizën politike.

 

Fraksion.com