AktualitetPolitikëTë fundit

Protesta e opozitës sot, Balla: Sjellje jo ligjore, ka frikë nga SPAK dhe BKH

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, deputeti Taulant Balla ka sqaruar sot vendimin më të fundit për mbledhjen e sotme të seancën plenare dhe pse nuk do të zhvillohet seanca e parashikuar për në datën 14 mars. Në një deklaratë për mediat, Balla nuk bëri asnjë koment mbi reagimin e opozitës që e quajti qesharak vendimin për mbajtjen sot të seancës plenare, por theksoi se në këtë seancë do të miratohen vendime shumë të rëndësishme për shqiptarët, që mbeten prioriteti i shumicës. Balla theksoi gjithashtu se opozita po shtyhet drejt sjelljeve antiligjore nga frika e SPAK dhe BKH. Megjithatë, Balla nuk sqaroi nëse do ketë seancë këtë të enjte kur sërish opozita ka paralajmëruar për protestë.

“Sqaroj se Urdhri i kryetarit të Kuvendit për thirrje të kësaj seanca është firmosur që dje. Seanca është vijim i seancës së programuar për ditën e enjte me të njëjtën përmbajtje. Pra, të gjitha pikat e rendit të ditës së të enjtes së kaluar janë në këtë dhe në praktikën shumëvjeçare të Kuvendit, kur për arsye të ndryshme nuk është zhvilluar seanca, i njëjti rend dite bëhet në seancën tjetër. Sot pasdite Kuvendi do të shqyrtojë dy vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me strukturën e dy institucioneve të drejtësisë së re KLGJ dhe KLP. Sa më shumë do të afrohet dita e konsolidimit të drejtësisë së re, sa më shumë afrohet dita për ngritjen e SPAK dhe BKH do të kemi këtë edhe kete sjellje antidemokratike, antikushtetuese, jo ligjore të opozitës”.

Pse nuk mbajtet traditën për seanca ditën e enjte si keni bërë deri tani?

Shikoni vendimin e sotëm të Konferencës së Kryetarëve dhe do ta merrni përgjigjen. Në datën 14 mars nuk zhvillohet seancë se është ditë gëzimi dhe feste e shqiptarëve dhe për mua si deputet i Elbasanit, dhe i ftoj të gjithë të vijnë në Elbasan për ditën e verës. Ajo që u them është që u miratua kalendari dhe programi dhe ne do të vijojmë të miratojmë ligje shumë të rëndësishme të Paketës në Drejtësi, sot kemi edhe dy ligje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me hallin e mijërave në zonat rurale që nuk kanë marrë dot tapinë, me dy ligjet që miratojmë sot i japim zgjidhje këtij halli.

Opozita e ka quajtur qesharak vendimin për thirrjen e seancës sot dhe kanë njoftuar për protestë…
Nuk kam asnjë koment, të vetmin koment që kam është që ne po vijojmë me intensitet angazhimin tonë për ta çuar deri në fund mandatin që na kanë dhënë shqiptarët. Sot miratojmë strukturën e dy institucioneve bazë të strukturës së drejtësisë së re, KLP dhe KLGJ.

 

Fraksion.com