AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë: Çfarë po ndodh me liberalizimin e vizave? Presidenca rumune në BE flet…

Fati i liberalizimit të vizave për kosovarët tashmë ndodhet në duart e Rumanisë, shtet ky i cili vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Megjithatë, nga Përfaqësia e Përhershme e këtij shteti në Bashkimin Evropian, thonë se do të merren në mënyrë të sinqertë me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ata potencojnë se do të mbajnë qëndrim neutral karshi Kosovës, dhe se nuk do të bëjnë ndonjë përpjekje për ta ngritur këtë çështje për diskutim në Këshill të Ministrave. Sipas tyre, është në interes të Bashkimit Evropian që të ndodhë liberalizimi i vizave për kosovarët, dhe shpresojnë që një gjë e tillë të ndodhë në vitin 2019.

Pas austriakëve, tashmë procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët e ka në dorë përfaqësia e përhershme e Rumanisë në Bashkimin Evropian, shtet ky që vazhdon të mos e njohë ende pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Burime zyrtare të Gazetë Express brenda presidencës rumune, tregojnë që ky shtet përgjatë kohës që do të udhëheqin me BE-në, nuk do ta anashkalojnë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, megjithatë nuk do të bëjë përpjekje për ta avancuar për diskutim në Këshillin e Ministrave.

Sipas tyre, liberalizimi i vizave për kosovarët është në interesin e të gjithë Bashkimit Evropian.

“Presidenca e kaluar e BE-së është marrë seriozisht me çështjen e liberalizimit të vizave me Prishtinën, duke pasur parasysh qëndrimet e shteteve anëtare. Kjo është në interesin e Bashkimit Evropian dhe Prishtinës. Çështja e lëvizjes së lirë është e rëndësishme dhe paraqet shembullin më të mirë se si një palë mund të përfitojë nga marrëdhëniet e strukturuara me BE-në”, ka thënë për Gazetën Express, ky burim zyrtar brenda përfaqësisë së Përhershme të Rumanisë në Bashkimin Evropian.

Ata thonë që do të merren në mënyrë të sinqertë me këtë proces, duke vazhduar me diskutime në nivel të ekspertëve e ambasadorëve, gjithmonë duke pasur një qasje neutrale ndaj statusit të Republikës së Kosovës. Ndërkohë ata nuk e dinë se kur saktësisht kjo çështje do të futet në agjendën e Këshillit të Ministrave, instancë kjo e fundit që jep vulën për vizat.

“Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj teme për banorët e Kosovës, Presidenca e Rumanisë do të merret me këtë çështje në mënyrë të sinqertë, duke e marrë parasysh qasjen neutrale ndaj statusit, siç është arritur pajtueshmëri në BE, dhe hapat e nevojshëm proceduralë në nivel të Këshillit si dhe rregullat specifike të vendimmarrjes. Nga ky këndvështrim, është e nevojshme që të theksohet se diskutimet brenda grupeve punuese kompetente të Këshillit nuk janë shteruar. Rrjedhimisht, nuk mund të paragjykojmë për momentin kur kjo temë do të sillet në agjendë të Këshillit Ministror”, sqaron ky burim i Gazetës Express brenda presidencës së Rumanisë.

Diskutimet që do të bëhen nëpër grupe të ndryshme punuese thuhet që do të bëhen me qëllim që të ketë rezultate pozitive për procesin e liberalizimit për Kosovën.

“Siç është përmendur më parë, brenda kufizimeve të mandatit të Presidencës së BE-së, do t’i qasemi çështjes së liberalizimit të vizave në formatet që mund t’i plotësojnë kushtet për një diskutim domethënës që do të sjellë rezultate pozitive” sqaron ndër të tjera ky burim.

Të pyetur nga Express nëse do ta fusin në agjendën e Këshillit të Ministrave çështjen e liberalizimit të vizave , ata thonë që do t’i qasen seriozisht diskutimeve për vizat, por thonë që nuk do të bëjnë përpjekje që këtë çështje ta ngritin për diskutim në Këshillin e Ministrave.

“Disa hapa duhet të bëhen për të arritur deri në atë fazë. Ne do të punojmë me qëllim të ndërmarrjes së këtyre hapave, por nuk do të bëjmë përpjekje për ta avancuar këtë dosje”, potencon ky burim.

Pavarësisht zhvillimeve, përfaqësia e përhershme  e Rumanisë në Bashkimin Evropian, shpreson që Kosova dhe Bashkimi Evropian të gjejnë një gjuhë të përbashkët, në mënyrë që kosovarët të lëvizin pa viza gjatë vitit 2019.

“Është e rëndësishme ta kemi parasysh se kjo çështje trajtohet në Bruksel, por nuk është tërësisht në duart e shteteve anëtare të BE-së ose institucioneve të saj. Edhe nëse “detyrat e shtëpisë” janë kryer nga Prishtina në bazë të këndvështrimit të saj, çdo zhvillim pozitiv, qoftë ai politik apo teknik, do të mund ta sillte një frymë të re dhe të favorshme për këtë çështje. Jemi optimistë dhe shpresojmë që të dyja palët do ta bëjnë më të mirën për ta gjetur një rrugë të mesme dhe për ta arritur këtë objektiv”, përfundon ky burim zyrtar brenda Përfaqësisë së Përhershme të Rumanisë në Bashkimin Evropian.

Gazeta Express e ka përcjellë në vazhdimësi procesin e liberalizimit të vizave dhe ka qenë në kontakt konstant edhe me përfaqësinë e përhershme të Austrisë.

Nga Bashkimi Evropian ishte thënë zyrtarisht që Kosova do të merrte liberalizimin e vizave pasi të ratifikonte në Kuvend, marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Megjithatë një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe përkundër faktit se deputetët e kanë votuar me shumicë votash atë marrëveshje.

Zyrtarë shtetëror të Kosovës thonë që liberalizimi do të ndodh brenda këtij viti, e nga BE-ja vazhdojnë që të përmendin luftimin e korrupsionit dhe sundimin e ligjit si një kusht të përhershëm për liberalizim. /GazetaExpress

 

Fraksion.com