Turqi: Një shqiptar zgjidhet kryetari i ri i Parlamentit
Në Parlamentin turk është votuar sot për zgjedhjen e kreut të ri të këtij institucioni dhe fitues është shpallur me shumicë votash, Mustafa Şentop nga Partia AKP e Presidentit Rexhep Tahip Erdogan.
Şentop mori 336 nga 600 vota, duke u bërë kështu kryeparlamentari i ri i Turqisë. Por ajo çka është më interesante për 50-vjeçarin, është origjina e tij shqiptare.
Sentop u lind në Tekirdag më 6 gusht 1968 nga një familje shqiptare që kishte emigruar më herët në Turqi.
Mustafa Şentop u diplomua nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Stambollit dhe mori një diplomë masteri dhe doktoratë në fushën e të drejtës publike në Universitetin Marmara.
Në vitin 1993, ai filloi të punonte si anëtar i stafit mësimdhënës në Fakultetin Juridik të Universitetit Marmara. Ai u bë doktor shkencash në vitin 2002, docent në vitin 2005 dhe profesor në vitin 2011.