AktualitetTë fundit

Thyerja e konfidencialitetit nga punëmarrësit: 61 shkelje dhe 30 gjoba në 2018

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe të Dhënat Personale bën të ditur se gjatë vitit 2018, në bazë të kontrolleve në terren dhe vëzhgimeve online, disa institucione publike dhe private nuk kanë zbatuar ligjin për të dhënat personale. Në total, sipas tyre, janë konstatuar 61 shkelje në këtë fushë, të cilat janë shoqëruar edhe me 30 gjoba.

Sipas raportit të ofruar për hetimin e institucioneve private dhe publike, shkeljet për të cilat kontrolluesit janë sanksionuar me gjobë konsistojnë në”

  1. mungesën e masave tekniko-organizative dhe hartimin e rregullores për përpunimin e të dhënave personale
  2. mosnënshkrimin e deklaratës së konfidencialitetit me punëmarrësit të cilët kanë akses në të dhënat personale
  3. rregullimin e marrëdhënieve me përpunuesit në rastet e delegimit të përpunimit të të dhënave
  4. mospublikimin e politikave të privatësisë në portalet zyrtare
  5. mosinformimin e subjekteve të të dhënave mbi prezencën e sistemit të video-survejimit (CCTV) etj., (detyrime të cilat burojnë nga ligji nr.9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”si dhe aktet nënligjore të Zyrës së Komisionerit. )

Në total, janë realizuar 190 inspektime, nga të cilat 108 në terren, kurse 82 kanë qenë inspektime online për subjekte publike dhe private në faqet web, në lidhje me detyrimin për informim të subjekteve të të dhënave, politikat e privatësisë etj. Nga inspektimet online, sipas Komisionerit janë planifikuar edhe hetime administrative në terren për vitin 2019 në ato subjekte, të cilat nuk reflektojnë kërkesat e nenit 18,të ligjit nr.9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar. Ndërsa bëhet me dije se janë kryer 108 inspektime në terren,45 prej tyre në kontrollues publik dhe 63 në kontrollues privat. Komisioneri bën me dije gjithashtu se një pjesë e kontrolleve janë bërë në bazë të ankesave, përkatësisht 28 inspektime.

“Sipas parashikimeve dhe procedurave ligjore, Zyra e Komisionerit pas ushtrimit të hetimeve administrative pranë kontrolluesve të ndryshëm publik dhe privat, kryesisht ose mbi bazë ankesash të subjekteve të të dhënave ka vendosur sanksione me gjobë. Kjo në rastet kur shkeljet kanë qenë serioze, të përsëritura, apo në rast mospërmbushjeje të rekomandimeve/urdhrave të Komisionerit, përpara marrjes së vendimit me sanksion. Në mbyllje të procedurave hetimore, Zyra e Komisionerit ka dalë me 30vendime me gjobë të cilat korrespondojnë me 61 sanksione administrative.”-deklarohet në raport.

 

Fraksion.com