Premierë afrimi në shkretëtirë: Samiti i BE dhe Ligës Arabe
Nga Bernd Riegert
Samiti i parë i Bashkimit Europian e Ligës Arabe konsiderohet historik, megjithatë nuk pritet asnjë vendim në Sharm el Sheikun egjiptian. Aty takohen 50 krerë shtetesh nga BE, mbretër, emirë, autokratë nga bota arabe.
Ende distancë e madhe
Tundje koke dhe miratim tek përfaqësuesit e BE në sallën gjigande plenare. Emiri i Kuvajtit, Sabal Al-Ahmad-al Xhabir as-Sabah tha në fjalimin e tij, se është “tejet i lumtur” që merr pjesë në këtë konferencë. “Me kaq shumë salltanete të duhej një dylbi për të parë në sallë”, tha me humor një diplomat i BE. Axhenda është e gjerë dhe në mënyrë të përgjithshme flitet për „sfidat globale dhe rajonale”, mbi të cilat do të diskutohet. Sepse për shumë çështje të sigurisë edhe në ato politike, distanca mes evropianëve dhe arabëve është e madhe. Në temat e vështira si lufta në Siri apo Jemen, migrimi apo të drejtat e njeriut nuk ka pasur deri më tani ndonjë afrim.
Por ky nuk është synimi i takimit. Sipas së ngarkuarës së BE për politikën e Jashtme, Federica Mogherini “thjesht fakti që zhvillohet një samit i tillë është vlerë më vete.” Samiti i parë në Sharm el Sheik shihet si historik, sipas një diplomati të Brukselit. „Në shumë çështje të politikës kemi qëndrime të ndryshme, kjo dihet, por që të flasim me njëri-tjetrin, që të mundësojmë kontaktin, kjo është rruga e vetme për t’u afruar.”
Pjesëmarrje në nivel të lartë
E ngarkuara e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini e sheh si sukses që në samit marrin pjesë një numër i madh krerësh dhe qeverish, rreth 50 gjithsej. Nga 28 vende anëtare të BE, 24 prej tyre marrin pjesë në nivelet më të larta, vetëm Franca, Spanja, Lituania dhe Letonia dërgojnë ministrat e tyre të jashtëm. Edhe krerë qeverish, diktatorë, emirë apo mbretër kanë ardhur nga Liga Arabe janë në Egjipt. E sigurtë është që dy politikanë mjaft të kontestuar nuk do të jenë pjesë e samitit. Kreu i shtetit sudanez, Omar al Bashir, i kërkuar me urdhër ndërkombëtar arresti për shkak të protestave në vend ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Ka zëra, se mungesa e Omar al Bashirit lidhet edhe me presionin e kancelares gjermane. Politikani tjetër që nuk do të jetë prezent dhe që është i përfolur kaq shumë në botë për vrasjen e gazetarit Jamal Khashogi në Stamboll është princi trashëgimtar arab, Mohamed bin Salman.
Interesa të përbashkëta
“Për mua është e qartë, që mes nesh ka dallime”, tha kreu i Këshillit të BE, Donald Tusk, që drejtoi takimin të dielën (24.02) krah presidentit egjiptian, Al-Sisi. “Ne nuk jemi të sigurtë, nëse duhet të bëjmë sikur jemi dakord për gjithçka, por ne shohim sfida të përbashkëta dhe interesa të përbashkëta.” Donald Tusk ndoshta kishte parasysh me këtë konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve, ku BE dhe Liga Arabe mbrojnë zgjidhjen me dy shtete. Rruga për zgjidhje është themelimi i një shteti palestinez, që ekziston paralelisht me Izraelin. Të dy shtetet mund ta kenë Jeruzalemin si kryeqytetin e tyre. Me këtë BE dhe Liga Arabe distancohen nga qëndrimi aktual i administratës amerikane. Presidenti Trump ka dërguar një sinjal të qartë me zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Izrael. Dhëndri i Trump, Jared Kushner do të paraqesë një plan paqeje, „marrëveshjen e shekullit”, siç ka bërë të ditur presidenti.
Në konferencë, ministri i Jashtëm i Autoritetit Palestinez, Riyad al-Malki e mbështeti këtë. Ai paralajmëroi nga aksione të njëanshme të Izraelit kundër popullit palestinez. Në Rripin e Gazës, ku sundon organizata terroriste, Hamas, demonstruan paralelisht me zhvillimin e konferencës shumë vetë kundër autoritetit palestinez. Në Jordanin Perëndimor u zhvilluan mitingje pro presidentit palestinez.
Migracioni
Federia Mogherini e largoi nga fokusi qendror i samitit një temë të rëndësishme për BE – migrimin. Samitin e parë europiano-arab, BE e kishte synuar që vjeshtën e kaluar për të kufizuar migrimin nga vendet arabe. Por vendime konkrete, për shembull në politikën e migracionit nuk priten nga samiti. BE synon ngritjen e „qendrave mbledhëse” në territorin afrikanoverior për refugjatët e shpëtuar në Mesdhe. Edhe „qendra azili”, ku migrantët të shtrojnë kërkesën e tyre për azil janë në diskutim. BE dëshiron po ashtu më shumë marrëveshje kthimi me këto vende për të kthyer në vendet origjinë azilkërkuesit e refuzuar apo migrantët ilegalë.
Por unioni nuk ka ecur shumë përpara me këto projekte. Shtetet arabe e refuzojnë ngritjen e kampeve në tokën e tyre apo marrëveshjet e kthimit. Vetëm me vendin mikpritës Egjiptin duket se bisedimet në këtë drejtim kanë shënuar përparime. Por nga Egjipti në Mesdhe nuk vijnë shumë migrantë. Hungaria e bllokoi pak para samitit draftin e një deklarate të përbashkët, sepse qeveria në Budapest nuk donte që aty të përmendej në asnjë rast pakti i migrimit i OKB-së.
BE pa koncept të përbashkët për migrimin
Progres nuk shënohet edhe për shkak të mungesës së një strategjie të përbashkët në çështjen e refugjatëve, kritikon një diplomat. Në një kohë që Polonia dhe Hungaria e refuzojnë plotësisht pranimin e migrantëve, Italia këmbëngul që ata të shpërndahen mes të gjitha vendeve, prandaj ka mbyllur për këtë arsye edhe portet e saj. Mogherini përpiqet kështu që ta ndryshojë fokusin e samitit të parë europiano-arab – nga tema e migrimit tek bashkëpunimi ekonomik.
Por edhe 21 vendet e Ligës Arabe nuk janë të një mendimi në shumë çështje. Ndikimi i „pranverës arabe”, pjesërisht protestat e dështuara dhe ndryshimet e mëdha nga viti 2010 janë ende të pranishme. Nga ana tjetër shtete të pasura me naftë si Arabia Saudite kanë interesa të tjera nga shtete si ishujt Komore, që po ashtu janë pjesë e Ligës Arabe. Nga ana tjetër Liga Arabe, ndryshe nga BE, është një bashkim jo me detyrime i shteteve arabe, pa institucione të përbashkëta apo buxhet të përbashkët.
Pritet që vemëndje e veçantë t’i kushtohet konflikteve në Siri dhe Jemen. Shtetet arabe ashtu si BE kanë interes që rendi i pasluftës në Siri të mos përcakohet vetëm nga Turqia, Rusia dhe Irani. Për Jemenin do të diskutohet se si të pengohet katastrofa e urisë dhe zbutja e konfliktit në luftën qytetare. Në Sharm el Sheik është edhe kryeministrja britanike, Theresa May që ndodhet nën presion të madh kohor për shkak të afatit të Brexit. Ajo takohet me kreun e Këshillit të BE, Donald Tusk. Por nga BE priten shpresat për një „deal” të ri. „Nuk do të ketë një marrëveshje në shkretëtirë”, ka thënë një funksionar i BE. Duket se BE nuk do ta shpenzojë kohën në samit për problemet e brendshme. „Bota arabe ka shumë probleme, por ofron edhe shumë shanse”, e përmbledh Federica Mogherini vlerësimin e saj për rajonin./DW
Fraksion.com