Media serbe: Shqiptarët ulin çmimin e kokainës në Angli
Një ditë më parë media britanike “The Mirror” publikoi një artikull mbi mafien shqiptare, ndërsa këtë të hënë ky material ka gjetur pasqyrim edhe në mediat serbe.
Bëhet fjalë për të përditshmen “Kurir”, e cila shkruan se shqiptarët kanë marrë “frenat” e tregut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar.
“Mafia shqiptare mori kontrollin e tregut të kokainës në Britani të Madhe, që llogaritet në pesë miliardë paund. Kjo mafie është rritur ngadalë në tregun e kokainës në Mbretërinë e Bashkuar, pasi një numër i madh i shqiptarëve u zhvendos në Britani, pas rënies së komunizmit në Shqipëri në vitin 1990”, shkruan “Kurir” duke cituar burimin e lajmit.
Teksa citon burime të “The Mirror”, media serbe nënvizon se mafia shqiptare ka futur nën kontroll të plotë tregun e kokainës dhe vlera e përfitimeve arrin në 5 miliardë paund.
Ajo që ka alarmuar autoritetet angleze lidhet me faktin se çmimi i drogës është ulur dhe kjo rrit shanset për një përdorim edhe më të lartë në shoqëri.
Sipas mediave angleze, mafia shqiptare ka zaptuar tregun e drogës pasi kontaktojnë direkt me kartelet në Amerikën e Jugut duke siguruar “mall” cilësor dhe me çmim të arsyeshëm. Ndërkohë, bazuar tek raportet shëndetësore, mediat angleze kanë theksuar se përdorimi i drogës ka shkaktuar probleme të rëndë sociale dhe sëmundje, kryesisht në sistemin nervor dhe në zemër.
Moshat e reja janë “target grupi” që kanë rënë pre e konsumit të kokainës dhe kjo faktohet nga numri i lartë i vizitave, që kryhen çdo ditë në spitalet e Mbretërisë së Bashkuar.
Fraksion.com