AktualitetTë fundit

Gjyq me koncesionarin e parkimeve; “TIS Park” i kërkon Vlorës 24 deri në 58 milionë euro kompensim

Shqipëria rrezikon të paguajë 58 milionë dollarë në arbitrazh për koncesionin e parkingjeve të Vlorës.

Kompania koncesionare “Tis Park” ka paditur Bashkinë e Vlorës në Gjykatën e Arbitrazhit të Parisit për prishje të njëanshme të kontratës, duke kërkuar një dëmshpërblim nga 24 deri në 58 milionë dollarë.

Parkingjet e Vlorës u dhanë me koncesion në shkurt të vitit 2015 tek dy kompani guackë të regjistruar në parajsën fiskale të Delaware, “Tis Holding” dhe “On Track Innovations”. Sipas marrëvëshjes koncesionare të firmosur nga ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika, kompania private do të investonte 10 milionë lekë në vit në parkingjet publike të Vlorës dhe në këmbim do të vilte pagesën nga automjetet e qytetarëve për 15 vjet.

Por, sapo u instalua sistemi i pagesës, qytetarët vlonjatë protestuan fuqishëm duke e detyruar kompaninë të largohej, ndërsa një vit më vonë bashkia, tashmë e drejtuar nga Dritan Leli, e anuloi koncesionin.

Por, pas prishjes së kontratës, kompania koncesionare e ka paditur bashkinë në Arbitrazhin e Parisit. Në nenin 29 të kontratës ekziston një klauzolë ku thuhet se në rast prishjeje të njëanshme të kontratës apo dështimit për fajin e shtetit, bashkia ka rënë dakord t’i paguajë koncesionarit privat të ardhurat e parashikuara për 15 vjet, pra gjithë jetëgjatësinë e koncesionit.

Sipas një formule të detajuar, pjesë e marrëveshjes koncesionare, këtij dëmshpërblimi i korrespondon një shumë që varion nga 24 deri në 58 milionë dollarë.

Kontrata koncesionare e parkingjeve, përkatësisht klauzola që i jep të drejtën kompanisë të kërkojë deri në 58 milionë dollarë si dëmshpërblim nga taksapaguesit shqiptarë, është arsyeja se pse prokuroria ka marrë sërish të pandehur ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika./TCH

 

Fraksion.com