Gjykata pranon “Babalen”: I lë afat prokurorisë
Kërkesa e deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji për moszgjatjen e mëtejshme të hetimeve për çështjen “Babalja” është pranuar nga Gjykata e Tiranës.
Gjykata vendosi sot për t’i lënë afat prokurorisë deri në 20 mars që të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe të vendosë për fatin e hetimeve për rastin e Babales, dosje në të cilën Salianji akuzohet për kallëzim të rremë.
Në momentin e daljes nga gjykata, Salianji theksoi se hetimi që po bëhet është politik dhe zgjatja e afateve të hetimit nuk ka asnjë mbështetje ligjore.
“Prokurori tërësisht politike dhe në shkelje të ligjit, prokurori që vazhdon çështjen nuk ka guxuar të marrë mostrat e zërit të vëllait të ish ministrit Xhafaj, prokurori tjetër që është shtuar është një prokuror që ka lidhje të afërta me drejtuesin e MB sot, pra një hetim tërësisht politik, nuk ka arsye të zgjaten hetimet, vetëm për të mbajtur tymnajë, ne kemi kërkuar thjesht për të mbajtur në dijeni publikun që vazhdon në fakt një hetim jo për personin që sot është në burg në Itali, por gazetarin dhe ne e kemi denoncuar dhe do vazhdojmë të denoncojmë. Kemi tashmë një vendimmarrje që na çon te qytetarët nesër në 10 para kuvendit për gjithë qytetarët”, tha ai.
Fraksion.com