AktualitetTë fundit

“Eskobari i Ballkanit”: Pranohet kërkesa e Klement Balilit për gjykim të shkurtuar

Rreth orës 10:15 të kësaj të hëne ka nisur në Gjykatën e Krimeve të Rënda, seanca e radhës gjyqësore ndaj Klement Balilit, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.

Trupa gjykuese përbëhet nga një treshe gjyqtarësh, që kryesohet nga Flora Hajredinaj.

Në këtë seancë pritet të shqyrtohet kërkesa për gjykim të shkurtuar të “Eskobarit të Ballkanit”, e paraqitur nga trupa mbrojtëse.

Mbi Balilin rëndojnë akuzat për “Trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim, “pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”, si dhe për “Pastrim parash”.

Pronari i resorit luksoz “Santa Quaranta” u dorëzua në polici në momentin kur Prokuroria për Krimet e Rënda mbylli hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim.

Pas pothuajse tre vitesh arrati, Klement Balili u vetëdorëzua më 15 janar, pas disa ditëve negociat ku u përfshi nipi i tij, kryebashkiaku i Delvinës Rigles Balili, avokati Theodhori Sollaku dhe drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Kreu i policisë Ardi Veliu shkoi vetë në Delvinë për të ekzekutuar masën e sigurisë “arrest me burg” dhënë nga gjykata.

Në dosjen e Prokurorisë për Balilin  thuhet se rezultonte që nga fundi i muajit Maj 2015 shërbimet ligjzbatuese greke dhe DEA në Athinë kanë qenë duke hetuar në lidhje me një organizatë kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike e përbërë nga shtetas grekë, shqiptarë dhe nga vendet e Evropës Qendrore.

Kjo organizatë kriminale merrej me trafikimin e lëndëve narkotike të llojit kokainë dhe kanabis sativa duke përdorur për transport kamionë që janë të regjistruar në vende të ndryshme të Evropës në pronësi të kompanive që zotërohen nga shtetas grekë dhe përdorin si përfaqësues të këtyre firmave njerëz të ndryshëm.  Ndërkohë, vetë Balili nuk i ka pranuar akuzat.

 

Fraksion.com