AktualitetBota+Të fundit

Vatikani, takim historik për abuzimet seksuale të priftërinjve

Papa Françesku hapi sot në Vatikan një takim historik katër ditor, për të diskutuar mbi masat që duhen marrë kundër abuzimit seksual të fëmijëve. Papa mbajti një fjalim, ku tha se hierarkia e Kishës Katolike ka përgjegjësinë për trajtimin në mënyrë të efektshme të krimit të joshjeve seksuale dhe përdhunimeve nga priftërinjtë.

Papa Françesku e hapi takimin të enjten, duke iu drejtuar 190 udhëheqësve dhe peshkopëve të Kishës Katolike që të marrin hapa konkrete për rastet e pedofilisë.

Më tepër se 30 vjet pas shpërthimit të skandalit të parë në Irlandë dhe në Australi dhe 20 vjet pasi ai goditi edhe Shtetet e Bashkuara, peshkopë dhe drejtues të Kishës Katolike në shumë vende të Europës, Amerikës Latine, Afrikës dhe Azisë, kanë mohuar ekzistencën e abuzimeve seksuale në fenë e tyre, ose e kanë minimizuar këtë problem.

Në takimin e së enjtes, Papa iu drejtua priftërinjve me fjalët: “dëgjoni klithmat e fëmijëve që kërkojnë drejtësi” dhe shfrytëzoni rastin “për ta transformuar të keqen në një shans për të kuptuar më mirë dhe për të pastruar shpirtin”.

“Njerëzit e shenjtë të Zotit janë duke na parë dhe presin nga ne që jo thjesht t’i dënojmë këto raste, por të marrim masa konkrete dhe të efektshme”, tha Papa.

Disa ditë më parë, Vatikani njoftoi se Theodore McCarrick, ish kardinali amerikan i akuzuar për abuzime seksuale edhe me fëmijët, u përjashtua nga radhët e Kishës Katolike.

Skandali i abuzimeve seksuale të priftërinjve e ka tronditur Kishën Katolike në mbarë botën.

Takimi katër ditor në Vatikan synohet të jetë një seminar trajnimi për udhëheqësit e Kishës, për t’u mësuar atyre rëndësinë e parandalimit të abuzimeve seksuale në kishat e tyre, për t’u kujdesur për viktimat dhe për hetimin e krimeve sapo të ndodhin.

Të mbijetuarit e abuzimeve seksuale kanë dalë hapur me shumicë, me kërkesën për t’i vënë autorët para përgjegjësisë dhe për më shumë transparencë nga Kisha Katolike.

Fraksion.com