Sfidat e shqipes si gjuhë amtare
21 shkurti është Dita ndërkombëtare e Gjuhës Amtare e shpallur nga OKB për të promovuar diversitetin gjuhësor. Dr. Lumnije Jusufi mbi sfidat e gjuhës shqipe si gjuhë amtare.
Deutsche Welle: Pёrse i ёshtё dedikuar gjuhёs amtare njё ditё ndёrkombёtare?
Dr. Lumnije Jusufi: Termi apo koncepti gjuhё amtare nё gjuhёsi ёshtё vjetёrsuar me kohё. Kjo pёr dy arsye. Nё njёrёn anё ky term ka qёndruar nё thelb tё shumё lёvizjeve politike. Nё epokёn e lёvizjeve kombёtare gjuhёt amtare pёrbёnin qё nё fillim thelbin e konceptit komb dhe identitetit kombёtar. Nё politikat kolonialiste tё shumё shteteve kolonizatore evropiane gjuhёt amtare tё kёtyre shteteve iu imponuan popujve tё nёnshtruar, duke shtypur apo zhdukur shumё gjuhё vendase. Nё bllokun socialist gjuha amtare qёndronte nё thelb tё ideologjisë dhe nё rolin e gjuhёs sё normuar, ajo u instrumentalizua jo vetёm nё luftimin e dialekteve, por edhe nё shtypjen dhe asimilimin e pakicave gjuhёsore nё shtetet pёrkatёse.
Arsyeja e dytё pёr mёnjanimin e konceptit gjuhё amtare nё gjuhёsi ka tё bëjë me degën shumё të re linguistike, atë të hulumtimit tё shumёgjuhёsisё (multilingualizmit). Kjo degё flet pёr gjuhёt L1, L2 etj., çfarё nёnkupton radhёn e gjuhёve nё procesin e pёrvetёsimit tё njё gjuhe, pavarësisht rolit tё saj nё pёrbёrjen e identitetit tё njё bashkёsie gjuhёsore. T’i marrim kёtu si shembull pasardhёsit e migrantёve shqiptarё nё Gjermani, tё cilёt me shumicё e ndjejnё veten si shqiptarё, por si L1, dmth. si gjuhё primare, nё tё cilёn ata edhe alfabetizohen, ёshtё gjermanishtja. Me gjuhё amtare nё kёtё kontekst nёnkuptohet shqipja, por me njё domethёnie vetёm pёr identitetin kombёtar dhe jo për zotёrimin e saj real.
Ideja e shpalljes sё ditёs ndёrkombёtare nuk synon pёrkrahjen e praktikave asimiluese me anё tё konceptit gjuhё amtare, por mbrojtjen e larmisё gjuhёsore nё botё, si hap kundёr pёrhapjes sё gjuhёve tё mёdha, siç ёshtё anglishtja, apo gjuhёve shtetёrore ofensive nё shёrbim tё politikave asimiluese shtetёrore qoftё ndaj gjuhёve tё pakicave, qoftë ndaj varieteteve tё panormёzuara.
Deutsche Welle: Si mund ta zbatojmё kёtё ide pёr gjuhёn shqipe?
Dr. Lumnije Jusufi: Gjuhёn shqipe mund ta gjejmё nё tё gjitha aspektet e lartёpёrmendura, pёrveç nё rolin e gjuhёs sё kolonializmit. Ajo qёndronte nё thelb tё krijimit kombёtar shqiptar qё nё shekullin e 19-të. Me larminё fetare tё shqiptarëve dhe traditёs sё varfёr shtetёrore, Rilindasit ngritёn gjuhёn nё elementin e vetёm kombpёrbёrës dhe dallues nga popujt fqinj. Kёtё proces e pёrforcoi Shqipёria socialiste edhe mё shumё. Nё politikёn mik-armik tё kёsaj ideologjie, gjuha shqipe u shpall si mburojë e popullit shqiptar nё luftё kundёr gjithё botёs. Me kёtё rol atё e gjejmё edhe sot, madje nё nivel aq absurd, saqё çdo ide ndryshimi tё normёs aktuale apo tematizimi tё larmisё gjuhёsore tё shqipes qoftё nё nivel dialektor, rajonal apo shtetёror, shihet si akt kundёr njёsisё kombёtare shqiptare. Rolin asimilues tё saj e hasim tek pakicat gjuhёsore nё Shqipёri, p.sh. te romёt, vllehёt, maqedonasit etj. Rolin shtypёs tё shqipes letrare/standarde e hasim nё kohёn komuniste kundёr çdo varieteti tjetёr, sidomos kundёr Shkodranishtes Letrare.
Por gjuha shqipe ka edhe rolin e pakicave gjuhёsore nga mё tё ndryshmet. Fillimisht ajo, apo shtresa historike tё saj, sot ose ёshtё/janё zhdukur (p.sh. arvanishtja nё Greqi), ose ёshtё e rrezikuar (p.sh. arbёrishtja nё Itali). Shqipja paraqiste apo paraqet ende gjuhё pakicash nё hapёsirёn ish-jugosllave. Dhe si e tillё ajo ёshtё ballafaquar apo ballafaqohet ende me probleme tё presionit, asimilimit, por edhe tё nacionalizmit dhe instrumentalizimit tё saj politik ndaj politikave shtetёrore ose ndaj pakicave rajonale (sot shtetёrore), si p.sh. romёt dhe turqit nё Kosovё.
Shqipen e gjejmё edhe si gjuhё pakicash tё shtresave migruese mё tё reja, si nё SHBA dhe Evropёn Perёndimore. Pёrmbajtjen e mirёfilltё tё termit gjuhё amtare e realizojnё kёto grupe. Hapja e kёtij koncepti nё kuptim tё degёs linguistike tё shumёgjuhёsisё do tё ishte fitimiprurёse nё pёrhapjen e zotёrimit tё shqipes dhe zbutjes sё rolit vetёm simbolik kombёtar tё saj. Njohja dhe recitimi i poezive tё Naim Frashёrit dhe kёndimi i kёngёve tё Ilir Shaqirit nuk e pajisin njё tё ri shqiptar, si punonjёs i ndonjё banke nё Evropёn Perёndimore nё bisedime biznesi me ndonjё bankё shqiptare apo kosovare.
Dita ndёrkombёtare e gjuhёs amtare i ndihmon shqipes nё disa mёnyra. Ajo na kujton humbjen tragjike tё arvanishtes dhe tё shqipes moderne te shumё tё rinj dhe fёmijё nё migracion. Ajo kujton mbrojtjen e saj si gjuhё pakice nё Itali dhe vende tjera ballkanike. Mbrojtja e gjuhёve ёshtё e drejtё thelbёsore njerёzore. Por ajo na detyron tё jemi tё kujdesshёm me synime unike gjuhёsore dhe na kujton pёrgjegjёsinё e rolit tё shumicёs ndaj pakicёs. Çdo gjuhё apo varietet gjuhёsor ka vlerёn dhe vendin e saj/tij nё botёn globale. Kjo pёrgjegjёsi me ditёn kombёtare tё gjuhёs amtare ju jepet edhe shqiptarёve.
Dita ndёrkombёtare e gjuhёs amtare na kujton zbatimin e gjuhёve amtare nё tё gjitha fushat dhe aspektet e jetёs. Moszbatimi apo simbolizmi i saj nёnkupton vdekjen e saj. Globalizimi ёshtё njё aspekt pёr jozbatim tё shumё gjuhёve amtare. Pёr shqipen ёshtё edhe simbolizmi i saj si nё vendet atdhetare tё shqipes nё Ballkan, ashtu edhe te migracioni shqiptar jashtё Ballkanit.
Deutsche Welle: A duhet bërë unifikimi i gjuhës, sipas mendimit tuaj? Çfarë fitojmë dhe çfarë humbasim me unifikim?
Dr. Lumnije Jusufi: Me unifikimin e shqipes nё kёtё fushё do tё kishim vazhdimёsinё e politikёs gjuhёsore tё Shqipёrisё komuniste, tё cilёn nuk do ta donte as pёrkrahte ndokush. Humbjet gjuhёsore me njё unifikim tё tillё do tё ishin jo vetёm gjuhёsore, por edhe shoqёrore. Do tё humbnim zhvillimet e shqipes letrare sidomos nё Kosovё, e cila ёshtё dёshmitare mё vitale pёr pёrpjekjet e njё shqipje letrare pёr tё gjithё shqiptarёt. Shqipёria komuniste, me purizmin e saj tё fortё gjuhёsor ka zhdukur shumё gjurmё tё kёtyre pёrpjekjeve dhe elementë tё çmuara historike tё shqipes, siç janё turqizmat. Pёr shoqёrinё do tё kishte pasoja fatale nё aspektin e zotёrimit tё shqipes letrare/standarde, sidomos nё atё tё shkruar. Sa mё larg gjuhёs sё folur tё jetё njё normё gjuhёsore, aq mё e huaj dhe jo atraktive ёshtё ajo. Njё shqipe letrare identike me Tiranёn nuk do tё jetё kurrё e mundur nё Prishtinё, sё paku jo pёr masat e gjera. Detyrimi i saj do ta bёnte shqipen jo tё natyrshme dhe nuk do ta pajiste aspak me rolin e gjuhёs amtare. Dita ndёrkombёtare e gjuhёs amtare duhet tё shihet edhe nga ky kёndvёshtrim, hapja e koncepteve gjuhёsore nё favor tё ngritjes sё nivelit tё zotёrimit tё gjuhёve standarde nё tё folur dhe nё tё shkruar.
Deutsche Welle: Cili është rreziku më i madh për gjuhën shqipe, në kohë globalizimi?
Dr. Lumnije Jusufi: Shqipja letrare/standarde me rolin e saj simbolik kombёtar humb detyrat e saj shoqёrore si gjuhё pune, gjuhё profesioni, gjuhё shkolle. Ajo shumё rrallё ose pothuaj fare nuk ka arritur tё kalojё nё sferёn private apo familjare. Me globalizimin bёhen gjuhё tjera standarde atraktive pёr kёto role, sidomos te shtresat migruese. Moszotёrimi i saj, shqipes standarde si gjuhё amtare nё nivel tё lartё nuk i pёrgatit shqiptarёt sa duhet pёr pёrvetёsimin e gjuhёve tё huaja, sidomos tё anglishtes, tё cilat janё bёrё thelbёsore nё sferёn e punёs. Le ta kujtojmё edhe kёtё detyrim nё ditёn ndёrkombёtare tё gjuhёs amtare.
Dr. Lumnije Jusufi ёshtё albanologe nga Gjermania, sё fundi drejtuese e njё projekti shkencor pёr rajonin e Dibrёs nёn ndikimin e kufirit, në Universitetin Humbold të Berlinit. Ajo merret me çёshtje gjuhёsore nga fusha e sociolinguistikёs dhe didaktikёs sё gjuhёve tё huaja. Ka botuar disa libra nё gjermanisht dhe shqip, dhe shumё artikuj nё revista tё ndryshme shkencore.
Fraksion.com