AktualitetPolitikëTë fundit

Protesta e opozitës, Mogherini-Hahn: Dënojmë retorikën për dhunë!

Ndërkohë që mbështetës të opozitës shqiptare janë mbledhur për të protestuar përpara Kuvendit të Shqipërisë, në vazhdën e protestës së pak ditëve më parë përpara Kryeministrisë, një tjetër reagim ndërkombëtar vjen i fuqishëm kundër retorikës nxitëse për dhunë.

“Ne riafirmojmë të drejtën e qytetarëve për të demonstruar paqësisht, si një tipar thelbësor dhe vlerë bazë e demokracisë, por ne dënojmë fuqishëm çdo retorikë nga udhëheqësit politik që bën thirrje për dhunë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, si dhe Komisionerit të Zgjerimit, Johannes Hahn.

“Vendimi i opozitës për të dorëzuar mandatet parlamentare pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Parlamenti është vendi ku reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe të avancohen, e jo të bojkotohet. Këto vendime dhe akte janë antiproduktive, shkojnë kundër zgjedhjes demokratike të qytetarëve shqiptarë dhe minon progresin që vendi ka bërë drejt rrugës për në Bashkimin Europian”, theksojnë Hahn-Mogherini.

Sipas komisionerit dhe kryediplomates europiane, Bashkimi Europian pret nga të gjithë anëtarët e Parlamentit shqiptar që të mbrojnë idealet dhe parimet e demokracisë, të vazhdojnë të shërbejnë në Kuvend dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të shmangur aktet e dhunës dhe deklaratat nxitëse.

“Ne presim gjithashtu, në mënyrë të barabartë, që Qeveria dhe opozita të zotohen për dialog konstruktiv me synimin për të tejkaluar situatën aktuale politike në vend, në mënyrë që të përfitojë Shqipëria dhe qytetarët e saj”, përfundon deklarata e Hahn dhe Mogherinit.

 

Fraksion.com