AktualitetOp-EdTë fundit

Ngjela: Korrupsioni po bën rezistencë; Kërkon ndihmën e shqiptarëve që ta mbrojë

Nga Spartak Ngjela

 

Kriza e Shqipërisë është pasojë e nivelit shumë të ulët të mendimit intelektualo-profesional në drejtimin e shtetit.
Nesër korrupsioni kërkon ndihmën e shqiptarëve që këta të mbrojnë korrupsionin e politikës së lartë.
Është pamundësi.

l.
Çfarë konstatohet në Shqipëri sot, pas 27 vjerësh:
Njerëz pa vlerë që kanë kalbur shtetin institucionalisht; dhe e kanë kthyer politikën në një dimension vulgar: kjo është gjendja e sotme në Shqipëri – asnjë ide. Asnjë skemë zhvillimi. Treg joprodhues.
Parlamentarë që bëjnë luftë njerëzish dhe jo luftë idesh.
Parlament i kthyer në një instrument vjedhjesh kur duhej të ishte instrument ligjesh.

Në fakt kjo ka qenë me së shumti një kohë drejtuese që ka kaluar, nga Berisha, një kryeministër mjek i një mjeksie të prapambetur e periferike, te Rama, një kryeministër që është mësues vizatimi.
Jo Shqipërisë, por Suedisë që është vendi më i zhvilluar i Globit, po t’i vijnë e ta drejtojnë në dhjetë vjet një mjek i provincës komuniste shqiptare dhe një mësues vizatimi, edhe ky shtet do të falimentonte ekonomikisht dhe institucionalisht.

Kjo është gjendja jonë e cila sot po kërkon ndërhyrje drastike. Amerikanët mendojnë ta shërojnë shoqërinë shqiptare me anë të Reformës në Drejtësi.  Ata nuk mund ta pranojnë këtë klasë politikë të korruptuar plotësisht.
Dhe po duan ta largojnë me anë të goditjes penale.
Por korrupsioni po bën rezistencë. Këta kanë hequr dorë nga pushteti, por duan paratë që kanë përvetësuar. Në esencë, këta duan destabilizimin e Shqipërisë.
E kanë kot. Kjo është një luftë me mullinjtë e erës.

ll.
Çfarë pritet nësër?
Njëlloj si pesë ditë më parë: dështim i korrupsionit.
Po politika amerikane?
Ajo e kupton që nesër fillon procesi i largimit nga Parlamenti i të revoltuarëve të korruptuar.
Po pas kësaj?
Menjëherë fillon numuri i plotë i Parlamentit të Shqipërisë për të mbyllur reformën me vota të plota.
Janë deputetët që nuk do ta dorëzojnë mandatin; dhe që do të qëndrojnë në Parlament. Sigurisht që nuk mendohet të jenë pak.
Po më pas?
Do plotësohet legjislacioni i plotë për Reformën në Drejtësi me numurin e nevojshëm në Parlament.
Po më pas?
Institucionet e reja, të drejtuara nga politika amerikane, do të fillojnë proceset penale. Kështu që, opozita e korruptuar, sipas skemës ndërkombëtarë, vetëshpejton reformën kundër vetes.
Por, goditje penale do të jetë kundër gjithë klasës politikë të korruptuar: edhe majtas, edhe djathtas.
Këtu realisht, pas 100 vjetësh, fillon rizgjimi i drejtësisë shoqërore në Shqipëri.
Kjo pritet të ndodhë, nëse do të ndërhyjë politika amerikane për t’i shpëtuar edhe një herë – Shqipërinë dhe shqiptarët. Të shohim.

 

Fraksion.com