Mandatet, Murrizi: Ja ku gabojnë liderët…
Deputeti demokrat Myslim Murrizi, i cili nuk ka hequr dorë nga mandati tha në rubrikën “Opinion” në News 24 se është pro protestave të zhvilluar kundër qeverisë.
Ai deklaroi se liderët e partive politike në Shqipëri mendojnë se duke qenë se të ka në dorë listën e emrit si deputet, tentojnë të të kontrollojnë edhe për veprimet si individ.
Sipas tij, opozita duhet të kishte djegur mandatet që në dhjetor, pasi gjashtë muaj nuk ishte fare në parlament duke shtuar se zgjedhjet në Shqipëri gjithmonë kanë qenë të kontestuara, me përjashtim të atyre të vitin 1995 dhe 2005.
“Këtu tek ne është një habi e madhe tek liderët. Sa bëhen lider në sensin e asaj, që kam në dorë emrin në listë të kam në dorë edhe ty si individ. Kam organizuar dhjetëra aksione ndaj kësaj qeverie, ky mendon se të kam në dorë listën të kam në dorë edhe ty. Jo mor vëlla.
Unë kam qenë non stop kundër këtij ligji. A ishim gjashtë muaj jashtë kuvendit, mund ti kishin djegur mandatet. Nga 23 dhjetori nderi tani nuk ka ndodhur gjë. U vra Azem Hajdari, dolën katër muaj dhe në fund u kthyen në kuvend. Në Shqipëri për post zgjedhjeve të ‘95 dhe të 2005, të gjitha zgjedhjet janë anatemuar me forcën e pushtetit”, tha ai.
Në listën e demokratëve mungoi edhe firma e Rudina Hajdarit, e cila prej ditësh ndodhet në Amerikë. Vajza e ish-liderit të dhjetorit ka lënë pezull një përgjigje nëse do ndjekë apo jo kolegët në hapin ekstrem.
Jashtë vendit ndodhen edhe Fatmir Mediu dhe Nard Ndoka. Republikani në Asamblenë Parlamentare të OSBE në Vjenë, drejt së cilës do të niset të premten edhe kryedemokrati Basha, ndërsa demokristiani Nard Ndoka në Bruksel. Dy aleatët historikë të Bashës pritet të firmosin me të mbërritur në Tiranë.
Nga radhët e LSI-së i vetmi i cili nuk iu bind vendimit të partisë ishte Lefter Koka, të cilit Monika Kryemadhi nuk ia kurseu reagimin: “Kush deputet kërkon të përfundojë në kazan të plehrave si ato të Ukrainës, le ta provojë. LSI-në, opozitën nuk i mbajnë peng as inceneratorët, as tenderat, as Vettingu dhe asgjë tjetër”
Fraksion.com