AktualitetPolitikëTë fundit

Basha: Nuk do të ketë marrëveshje me Ramën

Kreu i partisë demokratike Lulzim Basha ka dhënë një intervistë për median italiane Rai News ku ka folur për protestat e opozitës dhe djegien e mandateve parlamentare.

Basha ka akuzuar qeverinë për bashkëpunim me krimin. Ndërkohë që pritet të mbahet një tjetër protestë e madhe e thirrur nga liderët e partive opozita për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të reja pas protestës dhe përplasjeve të të shtunës së kaluar, Basha ka thënë se opozita nuk ka kërkuar kurrw dhunë dhe se djegia e mandateve ishte një masë ekstreme në kushte ekstreme. Ai tha se nuk do të ketë marrëveshje me Ramën, duke iu referuar asaj të 18 majit 2017.

“Ky është një akt ekstrem, ne nuk presim përgëzime por ne urojmë vetëm një gjë, standardet dhe vlerat e demokracisë europiane dhe amerikane. Në Europë kur një kryeministër kapet duke vjedhur rezultatin e zgjedhjeve në bashkëpunim me krimin e organizuar, dhe kjo është transmetuar publikisht në mediat ndërkombëtare, ajo qeveri duhet të largohet dhe përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”, ka deklaruar Basha për RaiNews.

I pyetur nëse parashikon protestë të dhunshme gjatë ditës së sotme, Basha tha se opozita nuk ka kërkuar kurrë dhunë por nënvizoi gjendjen e rëndë në vend.

Parashikoni protestë të dhunshme ditën e enjte?

Ne nuk kemi kërkuar kurrë dhunë. Ne kemi kërkuar gjithmonë protestë paqësore. Situata në vend është shumë e rëndë. Ka papunësi të lartë, varfëri të madhe në të gjithë vendin dhe kjo e ka zemëruar popullin që tani e di se varfëria nuk vjen se vendi është i varfër por sepse vendi dhe populli janë vjedhur.

Ka pasur një deklaratë të kryeministrit që thotë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen…

Tregon vetëm se Rama përdor shantazhin dhe korrupsionin për të blerë anëtarët e opozitës. Tregon vetëm se sa parlamenti dhe demokracia nuk janë funksionalë në Shqipëri.

Keni takuar ambasadoren gjermane dhe përfaqësues të BE, OSBE. Çfarë është diskutuar në këto takime?

Mesazhi im është shumë i qartë për të gjithë miqtë e Shqipërisë. Kjo është një Parti që lindi me ëndrrën për ta bërë Shqipërinë pjesë të Europës, dhe ne luftojmë për vlerat europiane ne luftojmë për demokracinë për ndarjen e pushteteve, për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pa këto nuk ka të ardhme për vendin tim, nuk ka të ardhme europiane dhe nuk ka të ardhme për shqiptarët. I kërkoj miqve tanë të kuptojnë se kjo masë ekstreme është marrë në kushte ekstreme

Dhe i kërkoj atyre të mos kërkojnë nga populli shqiptar diçka që ata nuk do e pranonin kurrë.

Shumë thonë se duket se historia do ë përsëritet edhe në 2017 kishte shumë protesta dhe më pas një marrëveshje mes jush dhe Edi Ramës, dhe thonë se kjo histori do të përsëritet. Është kështu ?

Jo për një arsye të thjeshtë, sepse Rama nuk e ka respektuar asnjëherë atë marrëveshje.
Rama është kapur nga organi i akuzës në Shqipëri në përgjime që janë publikuar nga media ndërkombëtare në të cilën ai dhe bashkëpunëtorët e tij bëjnë marrëveshje me krimin e organizuar për të intimiduar zgjedhësit dhe për të blerë vota, çka solli një parlament që nuk është rezultat i vullnetit të popullit por është diktuar nga krimi i organizuar./RAI

 

Fraksion.com