Studim: Tridhjetë për qind e qytetarëve të Kosovës e mbështesin korrigjimin e kufirit
Një raport i hartuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit, nxjerr në pah se 30 për qind e qytetarëve të Kosovës e mbështesin korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës e Serbisë në këmbim të njohjes dhe anëtarësimit në Kombet e Bashkuara.
Këto të dhëna u bënë të ditura gjatë një konference me titull “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ku u tha se 62 për qind e qytetarëve mbështesin vazhdimin e bisedimeve me Serbinë.
Sipas raportit, 16 për qind e qytetarëve mbështesin situatën aktuale politike ndërmjet Kosovës e Serbisë ndërsa Asociacioni i komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive në këmbim të njohjes të pavarësisë së Kosovës mbështetët nga dhjetë për qind e qytetarëve të Kosovës.
Po ashtu, raporti nxjerr në pah se 62 për qind e qytetarëve mendojnë se Lugina e Preshevës duhet të bashkohet me Kosovën, ndërsa rreth 84 për qind thonë se veriu i Kosovës nuk duhet të bashkohet me Serbinë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se opinionet e qytetarëve përshtaten mirë me vlerësimet e tij politike. Ai tha se dialogu me Serbinë është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm dhe se sipas tij është koha që të arrihet një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
“Unë mendoj se status quo-ja nuk paraqet as vendnumërim, por është kthim prapa. Në dymbëdhjetë muajt e fundit ka përkeqësim dhe regres në raportet e Kosovës dhe Serbisë. Nuk kam kurrfarë dyshimi që nëse këtë vit nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të hyjmë në një zonë të rrezikshme të këtyre raporteve, që mund ta destabilizojnë gjithë rajonin. Pra, përvoja e vitit të fundit vetëm sa ka sforcuar bindjen time që ka ardhur koha për ta arritur këtë marrëveshjen historike në mes të dy shteteve”, tha presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi tha se duhet të shfrytëzohet mbështetja e fuqishme e administratës të presidentit Donald Trump për të arritur marrëveshje. Ai tha se bisedimet në Bruksel nuk do të jenë të lehta dhe se sipas tij pala e Kosovës duhet të këmbëngul në kërkesën për njohje të ndërsjellë në mes dy vendeve.
Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bëri thirrje që partitë politike të dalin me kërkesa të qarta përballë Serbisë pasi që, sipas tij, aktualisht vendi nuk e di se çfarë dëshiron.
“Ne e dimë se çfarë dëshiron Serbia, ajo e thotë hapur, qartë thotë delimitim, përkufizim, kufizim me shqiptarët praktikisht përmes ndarjes së Kosovës që të vazhdohet me delimitimin me kroatët përmes Bosnjës. Projekti është i vjetër, qe besa as akterët nuk janë të rinj. Ne e dimë çka duan ata por pyetja është se çka duam ne, a e kemi ne të qartë se çfarë duam?. Në Kosovë pesë udhëheqës politik i kanë gjashtë mendime. Është e domosdoshme që ne njëherë të dakordohemi se çka duam përballë Serbisë”,tha ai.
Zoti Kurti tha se kufijtë e Kosovës nuk mund t’i fal askush.
“As dëshmoret ndër varre po u ngritën nuk kanë të drejtë të falin tokë të Kosovës se lërë më të gjallët”,tha ai.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha se skena politike gjatë viteve të fundit është përballur me shantazhe politike nga partitë në pushtet që po e pamundësojnë një konsensus me opozitën.
“Legjitimitetin para dialogut ne e kemi kërkuar që nga muaji maj i vitit të kaluar. Nuk mund të zgjidhim probleme madhore me armikun shekullor pa legjitimitet. Platforma politike e LDK-së e bën të qartë që statusi, integriteti territorial i Kosovës janë të pa negociueshme. Oferta jonë është politike, por legjitimitetin nuk e falim. Legjitimiteti dhe dialogu është oferta e fundit për unitet, që do të na ndihmojë për zgjidhjen e problemit me Serbinë, por edhe problemeve të tjera”, tha zoti Haziri.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh bashkudhëheqës i delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë, tha se vendi me asnjë çmim nuk do të negociojë për sovranitetin e tij dhe se në bisedime shkohet vetëm për njohje të ndërsjellë.
“Nëse Serbia është e gatshme të vazhdoj me këtë mohim edhe ne jemi të gatshëm të vazhdojmë jetën tonë deri kur të jenë të gatshëm të njohin Kosovën. Natyrisht humbin dy vendet, humb rajoni, por duhet të jetë mesazhi i qartë, nuk mundet dhe Kosova nuk do të pranojë në emër të kohës dhe asnjë çmim me rrënu dhe ta negocioj sovranitetin e vet, ne nuk jemi të gatshëm të negociojmë shtetin tonë. Kushdo që pret një gjë të tillë pret kthim, ne jemi të gatshëm të njohim njëri tjetrin dhe të zgjidhim të gjitha çështjet e hapura”,tha zoti Limaj.
Autoritetet në Serbi thanë se propozimi zyrtar i Beogradit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës është kufiri ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbështet një korrigjim të kufirit.
Idetë e tilla janë nxitur shumë reagime në Kosovë ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj, tha se përmes tarifave ndaj mallrave serbe po përpiqet të parandalojë një zgjidhje të rrezikshme për vendin.
Bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë vazhdojnë të mbesin të pezulluara për shkak se Beogradi kushtëzon vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe që qeveria e Kosovës i vendosi në nëntor të vitit të kaluar./VOA
Fraksion.com