AktualitetTë fundit

Skandali me tenderat e ministrisë së Drejtësisë; Prokuroria merr në pyetje Ylli Manjanin

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, është marrë në pyetje në Prokurori lidhur me abuzimin me tenderat, në periudhën kur dikasteri drejtohej prej tij.

Marrja e tij në pyetje është bërë gjatë së martës për afro dy orë, lidhur me dyshimet për abuzim me pesë tendera të dhënë gjatë viteve 2016-2017.

Krahas tij priten të merren në pyetje ehe ish-ministrat Petrit Vasili dhe Gazment Bardhi, lidhur me rolin që kanë pasur në tenderat në fjalë.

Marrja në pyetje e Manjanit vjen pas disa ditë më parë 12 zyrtarë të ministrisë së Drejtësisë, u vunë nën hetim dhe ndaj tyre u vendos masë sigurie.

Në arrest shtëpie ndodhet, ish-sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha, ish-drejtori e Shërbimeve Mbështetëse Aurel Lamçe dhe ish-specialisti e IT-së Arlind Alikaj.

Prokuroria e Tiranës në funksion të hetimeve të kryera për procedurat e tenderimit në Ministrinë e Drejtësisë për periudhën kohore 2016-2017, ka marrë në hetim 12 persona të dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Hetimet janë shtrirë në 5 tendera, konkretisht:

-Mirëmbajtja dhe mbikëqyrja e sistemit ICMIS në 7 Gjykatat Administrative

-Përmirësimi i sistemit të mbikëqyrjes elektronike në fushën penale

-Përmirësimi, Zhvillimi dhe Mirëmbajtja e Regjistrit Noterial Shqiptar

-Sistemi i Monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë Krujës

-Përmirësimi dhe mirëmbajtja e sistemit elektronik të çështjeve të përmbarimit

Shkeljet janë evidentuar fillimisht nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, e më pas dhe nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Financave.

Hetimet kanë nxjerrë në pah shkeljet e evidentuara të shoqëruara me pasoja të mëdha për buxhetin e shtetit. Disa nga sistemet objekt të këtyre procedurave të prokurimit në një pjesë të madhe nuk janë funksionale.

Hetimet kanë pasur në fokus funksionarët publik që kanë qenë pjesë e njësive të prokurimit, komisioneve të verifikimit të ofertave dhe komisioneve për mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave.

 

Fraksion.com