AktualitetTë fundit

Gjykata le në fuqi gjobën: Tregu të paguajë 420 mijë USD

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë ka lënë në fuqi gjobën prej rreth 420 mijë dollarë të Autoritetit të Konkurrencës për shoqërinë “EKMA Albania”, e cila administron tregun agro-ushqimor të shumicës në hyrje të Autostradës Tiranë-Durrës. Gjykata e ka cilësuar të drejtë dhe të mbështetur në prova vendosjen e gjobës.
Abuzimi vërehet në çmimet e qirasë që janë disa herë më të larta se çmimet e aplikuara në këtë zonë, ndërkohë që tregtarët nuk kanë alternativa të tjera për të marrë mjedise me qira.

Po ashtu norma e fitimit sipas raportit te Autoritetit të Konkurrencës është mjaft e lartë nga qiratë që aplikohen. Tjetër abuzim është ai me çmimet e energjisë dhe ujit që u faturohen tregtarëve, duke aplikuar tarifa shumë më të larta se ato të vendosura nga entet rregulluese. Një shkelje e hapur dhe e rëndë kjo pasi çmimet e ujit dhe dritave nuk mund te ndryshohen nga pale te treta.

Vjelja e gjobës do të bëhet pasi Gjykata Administrative e Apelit të shqyrtojë kërkesën e Autoritetit të Konkurrencës për sigurimin e padisë, dhe nëse kjo kërkesë rrëzohet gjoba ekzekutohet me marrjen e vendimit përfundimtar po nga Gjykata e Apelit.

Por përtej ekzekutimit të gjobës vendimi i Komisionit të Konkurrencës kërkon që kompania pronare e tregut “Ekma Albania” të hartojë kontrata të reja qiraje duke përdorur kushte të barabarta mes palëve.

Nëse kompania nuk zbaton vendimin, Autoriteti i Konkurrencës do të vendosë gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore të vitit financiar paraardhës.

Vendimi çliron tregtarët që operojnë nga tarifat e padrejta. Ndërkohë nga ana tjetër autoritetet shtetërore duhet të vihen në lëvizje për hapjen dhe licencim e një tjetër tregu agro-ushqimor shumice ne kryeqytet me qëllim që situata monopol të marrë zgjidhje pasi të gjitha kostot përfundojnë ne çmimet që paguajnë qytetarët për të blerë fruta-perimet.

 

Fraksion.com