Djegia e mandateve, Basha: S’tërhiqemi; Nuk ka frymëzim më të madh sesa SHBA
Lulzim Basha zgjodhi një shprehje të Presidentit Lincoln për t’iu përgjigjur Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila reagoi ashpër për vendimin e opozitës për të djegur mandatet.
Ashtu si 3 vite më parë për reformën në drejtësi, SHBA iu bëri thirrje nominale deputetëve që të refuzojnë djegien e mandateve, por Kryesia e Partisë Demokratike vulosi me votë unanime vendimin e marrë edhe nga grupi parlamentar.
“Djegia e mandateve është rekursi i fundit që i është lënë opozitës për të arritur një qëllim madhor: që të shembim një qeveri të krimit, për krimin dhe nga krimi dhe t’i japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit”, theksoi kreu i PD-së.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë u sqarua edhe procedura e lënies së mandateve. Burime i thanë Top Channel se po përgatitet një model tip dorëheqjeje për 194 personat e listës së Partisë Demokratike, përfshirë edhe 43 deputetët aktualë.
Për të evituar rrjedhjet nga radhët e demokratëve, këta të fundit pritet të firmosin një dokument duke pranuar në mënyrë vullnetare bashkangjitur arsyetimin politik lënien e mandatit. Deputetët do të dorëzojnë mandatin e tyre në Kuvend, ndërsa kandidatët pasues në lista në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Fraksion.com