AktualitetTë fundit

Xhaçka takon rekrutët e rinj: Hapja e FA për vajzat, një domosdoshmëri

143 djem e vajza u nisën sot për në Shkollën e Trupës në Bunavi, ku për rreth tre muaj do t’i nënshtrohen Stërvitjes Individuale Bazë, përpara se të betohen si ushtarët dhe detarët më të rinj të Forcave të Armatosura.

Në ceremoninë e përcjelljes së rekrutëve të rinj ishte e pranishme vetë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila vlerësoi zgjedhjen e këtyre djemve e vajzave për t’iu bashkuar Forcave të Armatosura.

Të bëhesh pjesë e Forcave të Armatosura do të thotë të bëhesh pjesë e një skuadre. Nuk është e lehtë e nuk mund të jetë e lehtë të bëhesh pjesë e Forcave të Armatosura. Aq më shumë sot, kur të bëhesh pjesë e ushtrisë shqiptare, do të thotë të bëhesh pjesë e një aleance si NATO. Do të thotë që nesër pasnesër të shërbesh në misionet e Aleancës krah për krah me aleatët tanë amerikanë, gjermanë, francezë, anglezë. Me ushtarakët e ushtrive më moderne e më profesioniste që njeh sot bota”, – u shpreh ministrja Xhaçka.

410

Ajo i kushtoi një vëmendje të veçantë rekruteve vajza dhe barazisë gjinore në Forcat e Armatosura.

Të hapësh Forcat e Armatosura për gratë e vajzat shqiptare është një domosdoshmëri! Dhe ne nuk mund të kemi më të mirët, më të talentuarit, më të përkushtuarit, në qoftë se përjashtojmë nga përzgjedhja plot gjysmën e shqiptarëve vetëm sepse janë gra dhe ushtria është vend për burra. Ne kemi nevojë për talentin e çdo djali dhe çdo vajze! Por, jam po ashtu e vetëdijshme, që jemi ende larg hapjes së vërtetë të Forcave të Armatosura si një mundësi reale karriere për çdo vajzë e çdo grua, që dëshiron t’i bashkohet kësaj organizate për t’i shërbyer vendit dhe popullit të saj. Për një organizatë si Forcat e Armatosura të Shqipërisë që sot janë duke përjetuar një proces modernizimi e profesionalizimi sipas standardeve më të larta të NATO, kjo mbetet një sfidë që unë jam shumë besimplotë se mund ta fitojmë”,  – deklaroi ministrja e Mbrojtjes.

406

143 kandidatët që u përcollën për në Shkollën e Trupës në Bunavi, u përzgjodhën pas testimeve fizike, intelektuale dhe psikologjike nga Qendra e Personel Rekrutimit të Forcave të Armatosura.

Pjesë e kandidatëve për ushtarë/detarë janë edhe 10 vajza, ndërkohë që 18 rekrutë janë me arsim të lartë.

Fraksion.com