AktualitetRajoniTë fundit

Vuçiq: Idenë e Daçiqit e kam thënë para dy vjetësh

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ideja për “vënien e kufirit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë e Serbi është dhënë nga vetë ai që para dy vjetësh”.

Komentet e tij pasuan deklaratën e ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili sot tha se propozimi zyrtar i Beogradit për arritjen e marrëveshjes me Kosovën është vënia e kufirit në vija etnike.

“Nuk kam çfarë të komentoj. Këtë e kam thënë para dy vitesh”, tha Vuçiq gjatë një vizite në një Institut shëndetësor në Beograd.

Duke e komentuar letrën e presidentit amerikan Donald Trump të dërguar për ditën e shtetësisë së Serbisë, në të cilën thuhej se “njohja e ndërsjellë është element kyç për normalizimin e raporteve”, Vuçiq tha se i kupton dëshirat e presidentit amerikan.

“Janë naivë ata që presin nga Amerika të ndryshojë politikën e saj, që fuqia më e madhe botërore të ndryshojë qëndrimin. Amerika e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, mos mendoni se është e mundur që dikush të ndryshojë vendimin e saj. Prandaj une e kuptoj dëshirën e presidentit amerikan” tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia i ka dëshirat, nevojat dhe planet e saja.

“Duke respektuar dëshirat e të gjithëve ne do të shikojmë se si në mënyrën më të mirë të ruajmë interesat tona, të mos përplasemi me SHBA, sepse as që mundemi, dhe as që e kemi të nevojshme. Por të kuptojmë si duhet atë që Trump e thotë: bëni marrëveshje, dhe kur e arrini ndryshimin e vogël ky është një hap i madh përpara. Prej SHBA-së është vështirë të pritet më shumë se kaq. A jam i lumtur për këtë? Nuk jam”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Të marten, Zëvëndëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se propozimi zyrtar i Serbisë, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, është “vënia e kufirit mes serbëve dhe shqiptarëve”.

Çështja e ndryshimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë është përmendur disa herë edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e quan këtë proces “korrigjim i kufijve”.

 

Fraksion.com