Pastrimi i parave dhe “antimafia” sekuestuan 31.8 milionë euro deri në tetor 2018
Raportimi i qeverisë për vitin 2018 lidhur me avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, i dorëzuar në Kuvend bën me dije se janë mbi 31 milionë euro të sekuestruara si efekt i ligjit ndaj parandalimit të pastrimit të parave dhe atij “antimafia”. Raporti edhe pse i dorëzuar në 31 janar mban shifra deri në tetor 2018 lidhur me këto aspekte por edhe shumë të tjera të lidhura me ekonominë.
Ndër të tjera raporti thekson se janë marrë masa sipas këshillave të fundit të Moneyval i cili këtë herë ishte kritik për vendin tonë duke e futur atë në monitorim të ecurisë së reformave. Qeveria nënvizon se nisur nga kjo janë marrë edhe një sërë masash që kanë reflektuar kërkesat e Moenyval.
“Lidhur me pastrimin e parave, në maj të vitit 2018, Komiteti Moneyval miratoi Raportin e Vlerësimit të Ndërsjellët në fazën e 5-të të vlerësimit. Ndërkohë është përgatitur një plan pune për të korrigjuar mangësitë e identifikuara në Raport. Gjatë 10 muajve të parë të vitit 2018 për veprën penale pastrimi i të ardhurave nga veprat penale ose veprimtari kriminale janë sekuestruar pasuri kriminale me vlerë mbi 15.3 milionë euro të 326 rasteve (4,046,615 euro në llogaritë bankare, 7,766,000 euro në asete, 3,497,150 € në para/kartëmonedhë), nga të cilat 2,077,431 euro vetëm në muajin tetor 2018” thuhet në raport.
Nga ana tjetër i njëjti dokument ndalet në një analizë më të hollësishme edhe për sekuestrimin e pasurive që janë bërë nën veprimin e ligjit antimafia.
“Për të njëjtën periudhë 10-mujore, në lidhje me Ligjin Nr. 10192 “Për parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit” (Ligji Anti-mafia), pasuritë e sekuestruara ishin me një vlerë prej 16,530,000 euro (në prona të luajtshme dhe llogari bankare), nga të cilat 600,000 euro vetëm në muajin tetor 2018” thuhet në raport.
Pastrimi i parave ka qenë një temë e ndjeshme së fundmi ku ka një theks të vazhdueshëm si nga ana e ekspertëve ashtu edhe insitucioneve ndëkrombëtare për kujdesin që duhet të tregojnë autoritetet publike ndaj fenomenit. Moenyval nënvizoi në raportin e tij të fundit se ka nevojë për një sërë masash shtesë për të shmangur fenomenin ndëkrohë që nënvizonte se ishin disa sektorë mes të cilat edhe lojrat e fatit apo kompanitë me pronësi të paqartë që duhet të shiheshin më me vëmendje nga qeveria./Monitor
Fraksion.com