AktualitetSportTë fundit

Indonezia kërkon organizimin e Lojërave Olimpike Verore 2032

Pas organizimit të suksesshëm të Lojërave Aziatike 2018 dhe Lojërave Para-Aziatike, Indonezia tashmë ka kërkuar zyrtarisht të organizojë Olimpiadën Verore të vitit 2032.

Në një letër dërguar presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, ka thënë se vendi nga Lindja e Largët është i gatshëm të organizojë Lojërat Olimpike Verore që do të mbahen në vitin 2032, shkruan agjencia indoneziane e lajmeve Antara.

Ambasada indoneziane në Bern, tha të martën se letra në fjalë, i është dorëzuar presidentit të KON-it, Thomas Bach më 11 shkurt .

Siç bëhet e ditur, ambasadori indonezian ka marrë një përgjigje pozitive nga kreu i KON-it.

“KON njeh aftësitë e Indonezisë të shfaqura gjatë organizimit të Lojërave Aziatike dhe Lojrave Para-Aziatike. Mendoj se kjo është një bazë e mirë dhe mjaft e fortë”, ka thënë drejtori Ekzekutiv i KON-it, i cituar nga diplomati indonezian në Zvicër.

Japonia, Franca dhe SHBA-të do të organizojnë Lojërat Olimpike në vitet 2020, 2024 dhe 2028, ndërkohë që procesi i përzgjedhjes së organizatorit të vitit 2032 do të fillojë jo më parë se viti 2024.

 

Fraksion.com