AktualitetBota+Të fundit

Trump: Kalifati i ISIS-it, në prag të disfatës

Presidenti amerikan, Donald Trump shkruan në Twitter se kalifati i vetëshpallur i Shtetit Islamik është “në prag të disfatës”, por paralajmëroi se do të lejonte qindra nga pjesëtarët e grupit terrorist që të shkaktojnë kaos në vendet e tyre të lindjes, nëse aleatët e Uashingtonit refuzojnë që t’i pranojnë.

Dy mesazhet në Twitter, postuar të shtunën në mbrëmje nga rezidenca e e tij e pushimit në Mar-a-Lago të Floridës, ishin komentet e para të Presidentit Trump për luftën kundër ISIS-it, që kur ai tha të premten në Shtëpinë e Bardhë se do të bënte “shumë njoftime të rëndësishme”, lidhur me Sirinë dhe çrrënjosjen e kalifatit të vetëshpallur.

Por presidenti përdori një ton të ndryshëm të shtunën duke ushtruar trysni ndaj aleatëve të Shteteve të Bashkuara të bëjnë më shumë, duke deklaruar njëkohësisht se “Kalifati ishte gati të rrëzohej”.

“Shtetet e Bashkuara i kërkojnë Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe aleatëve të tjerë evropianë që të marrin 800 luftëtarë të ISIS-it që janë kapur në Siri dhe t’i nxirrnin në gjyq”, shkruante ai duke shtuar se alternativa nuk do të ishte e mirë, pasi “ne do të detyroheshim t’i lironim”.

Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara nuk duan që këta luftëtarë të ISIS-it të depërtojnë në Evropë, duke paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen pas fitores 100 për qind ndaj Kalifatit.

Komentet e Presidentit vijnë ndërsa komandantët e Forcave Demokratike Siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara thanë se kalifati i vetëshpallur është reduktuar në vetëm 600-700 metra katrorë pranë fshatit Baghuz në Sirinë lindore dhe është i rrethuar nga të gjitha anët.

 

Fraksion.com