AktualitetOp-EdTë fundit

Merkel dhe Mike Pence: Përplasja e dy botëve

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih paraqitën pikëpamjet e tyre kancelarja, Angela Merkel dhe zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence. Mikja e multilateralizmit, Merkel përballet me mbrojtësin e superfuqisë botërore.

    
Ata e shohin nga këndvështrime të ndryshme botën: Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence. Presidenti amerikan, Donald Trump nuk ishte pjesë e kësaj konference të rëndësishme që trajton problemet e  sigurisë globale, duke theksuar kështu qëndrimin e tij „America First”. Ndërsa Merkel kërkon të shpëtojë multilateralizmin, që e përcakton botën nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e të cilin për ironi e nxitën vetë Shtetet e Bashkuara.

A është rastësi që njoftimi i fundit për grindjen tregtare me SHBA del pikërisht gjatë kësaj konference në pah? Merkel mund të përmendte një shembull të freskët për largimin e SHBA nga bashkëpunimi me partnerët: Ministria e Tregtisë në SHBA me sa duket ka arritur në përfundimin, se automjetet nga Gjermania janë një kërcënim për SHBA. Mbi këtë bazë presidenti Trump mund të ngrejë dogana të reja. Merkel e ironizoi hapur këtë. Shumë automjete prodhohen në filiale të koncerneve gjermane në SHBA: „Nëse këto automjete që prodhohen në South Caroline janë papritur një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA, atëherë kjo na shokon”, tha Merkel.

Merkel: Mos i shkatërroni strukturat

Megjithë ironinë, Merkel mbajti një fjalim mjaft serioz. Tingëlloi si amaneti i saj. Ajo preku të gjitha temat e mëdha botërore, nga tregtia botërore tek migrimi, nga Rusia tek Kina e Irani. Mesazhi i saj vendimtar: „Strukturat janë nën presion të madh”, por ne „nuk duhet thjesht t’i shkatërrojmë”. Ajo nuk e tha hapur, por pikërisht për këtë ajo e akuzoi presidentin Trump.

Mesazhi i dytë i Merkelt: Duhet të mbetemi në dialog, edhe me partnerë të vështirë. Kjo vlen sidomos për Rusinë. Nga pikëpamja gjeostrategjike, Europa megjithë vështirësitë që ka me Rusinë „nuk ka interes të prishë të gjitha marrëdhëniet me Moskën”. Në këtë kontekst Merkel shprehu mbështetjen edhe njëherë për gazsjellësin e kontestuar, Nord Stream 2, përmes të cilit vjen direkt gaz nga Gjermania në Rusi.

Pence: Trump e ka bërë SHBA sërish të fortë

Por për Mike Pence pikërisht ky projekt do të thotë varësi e rrezikshme nga Rusia. „Ne nuk mund të garantojmë mbrojtjen e perëndimit, kur partnerët tanë të aleancës bëhen të varut nga lindja”, tha Pence. Ndryshe nga Merkel që pranoi edhe probleme e në tërësi u shfaq e përmbajtur, zëvendëspresidenti amerikan, mbajti një fjalim plot lëvdata për presidentin Trump dhe arritjet e qeverisë së tij. Ai u përqëndrua tek rikthimi i fuqisë së SHBA nën presidentin Trump dhe lufta për liri. Sipas Pence, Trump është keqkuptuar shumë. Ai nuk dëshiron t’u kthejë kurrizin partnerëve. Por „nëse jemi të fortë dhe në ujdi, nuk ka asgjë që nuk mund ta arrijmë.”

Trump dhe Mike Pence e kanë të qartë se ç’duhet të bëjnë partnerët: Më shumë shpenzime për mbrojtjen, sidomos Gjermania. Të dorëzohet projekti Nord Stream 2 dhe në vend të kësaj të blihet gaz i lëngshëm amerikan. Kthesë kundër Iranit, dalje nga marrëveshja atomike, sepse „Irani është „nxitësi më i madh i terrorizmit shtetëror në botë” dhe dëshiron një Holocaust të ri. Dhe të mbështetet kreu i opozitës venezuelane e të njihet si president i përkoshëm i vendit Juan Guaido.

Merkeli me vetëbesim

Merkel dhe Pence folën kanë qëndrime të ndryshme  e vështrimi i tyre mbi botën lidhet shumë me vetë shtetet nga ata vijnë – kancelarja gjermane, kreu i qeverisë së një fuqie të mesme civile, që është e interesuar për balancimin e interesave – nga ana tjetër përfaqësuesi nr 2 i një superfuqie ushtarake dhe politike, që përpiqet të mbrojë pozicionin e saj kundër rivalëve të vjetër si Rusia apo superfuqive në rritje si Kina. Dhe që është mësuar, që si superfuqi të dëgjohet. Por Merkel është politikane me vetëbesim ndërkohë. Si fjalë përfundimtare ajo citoi republikanin, Lindsey Graham, që nuk pati shans kundër Trumpit në kandidaturat e brendshme partiake. Graham ka përcaktuar moton tha Merkel: „Multilateralizmi mund të jetë i vështirë, por ai është më i mirë se të jesh i vetëm në shtëpi.” E si Pence e Trump nuk do t’i ketë pëlqyer që kancelarja gjermane si mbrojtës të multilateralizmit merr pikërisht një politikan nga Partia Republikane e Trumpit./DW

 

Fraksion.com