AktualitetRajoniTë fundit

Kodheli: Projektet e përbashkëta, bëjnë të mundur përparimin e gjithë rajonit

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli, mori pjesë në Forumin Rajonal të Selanikut, me ftesë të Kryetarit të Bashkisë Selanik, Yiannis Boutaris.

Tema e forumit ishte “Sfidat e sotme dhe perspektivat e së ardhmes për Ballkanin 2030”. Në aktivitet merrnin pjesë autoritete dhe parlamentarë nga vendet e Ballkanit si dhe ekspertë të fushës, të ftuar për të diskutuar dhe shkëmbyer eksperiencat e tyre.

16 vjet pas Axhendës së Selanikut sfidat mbeten ende të mëdha për vendet e Ballkanit. Ish-kryeministri i Greqisë dhe njëherazi Presidenti i Internacionales Socialiste, George A. Papandreou, në fjalën e tij tha se ky Forum vjen në kohën dhe vendin e duhur, pasi në vitin 2003 pikërisht në këtë qytet u hap rruga për integrimin e këtyre vendeve në BE, e që prej atij momenti vende si Bullgaria, Kroacia apo Rumania janë tashmë pjesë e Bashkimit Europian. Sipas tij tre janë sfidat e mëdha të këtyre vendeve: ndërtimi dhe ngritja e qyteteve të qëndrueshme, investimi në burimet njerëzore për ndërtimin e kapaciteteve të të rinjve, si dhe përballimi i sfidave që këto vende kanë.

Po ashtu, Forumit iu drejtua edhe ish-Presidenti i Kroacisë,  Ivo Josipovic. Duke treguar eksperiencën e tij gjatë drejtimit të Kroacisë ai tha se çdo vend duhet të mësojë nga gabimet e Kroacisë.

Ndërsa Kodheli gjatë fjalës së saj, tha se besimi është baza mbi të cilën duhet ndërtuar bashkëpunimi mes shteteve.

Ajo tha se bashkëpunimi mes shteteve nuk duhet të realizohet vetëm si një detyrim i kërkuar nga Bashkimi Europian, por më së pari sepse jemi fqinj. Kodheli nënvizoi se vetëm projektet e përbashkëta rajonale do të mund të konkurrojnë dhe bëjnë të mundur përparimin e gjithë Rajonit.

Në Forum ishte i pranishëm edhe deputeti i PS, Ervin Bushati.

Fraksion.com