AktualitetKosovaTë fundit

Haradinaj: Jemi të bekuar me miqësinë amerikane

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova është e bekuar me miqësinë amerikane.

Haradinaj takoi delegacionin amerikan, të cilët vizituan Kosovën me rastin e 11-vjetorit të pavarësisë.

“Jemi të bekuar me lidhjet e përhershme unike, që kemi ndërtuar me miqtë amerikanë, bazuar në vlerat më të larta njerëzore. Zoti i bekoftë dy popujt tanë”, ka shkruar Haradinaj përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.

Në takim ishin të pranishëm edhe delegacionet nga vendet tjera.

Megjithatë kryeministri Haradinaj është duke e kundërshtuar një kërkesë të administratës amerikane për të pezulluar tarifën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës.

Së fundi, përmes një letre të cilën e kanë nënshkruar, Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, Ndihmëssekretarja e Mbrojtjes, Laura Cooper dhe Zv/drejtor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Earth, është thënë se pas kërkesave të vazhdueshme të SHBA-së për pezullimin e tarifës, është vendosur që të ndërmirren hapa “për të shprehur shqetësimin tonë, përfshirë edhe partneritetin tonë në fushën e sigurisë”.

“Është e pabesueshme që Kosova po injoron këshillën e Shteteve të Bashkuara” patën shkruar zyrtarët e lartë amerikanë.

Kryeministri Haradinaj, më pas, sërish kishte mbrojtur qëndrimin se tarifa do të hiqet vetëm pas njohjes nga ana e Serbisë.

 

Fraksion.com