AktualitetTë fundit

Djegja e Mandateve të PD, Kume: Ja se çfarë ndodh me Kuvendin e Shqipërisë

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, ka shpjeguar se çfarë ndodh me Kuvendin në rast se Partia Demokratike vendos të djeg mandatet e deputetëve, siç dhe premtoi kryedemokrati Lulzim Basha, pas protestës së të shtunës.

Kume tha se djegia e mandateve është veprim ekuivalent me atë të dorëheqjes nga një mandat i caktuar, duke e cilësuar si një veprim që nuk ka asnjë ngërç ligjor para se të realizohet.

Ai shpjegoi për mediat se në qoftë se realizohet një ngërç i tillë do të thotë që në Kuvendin e Shqipërisë krijohen vakancat dhe për pasojë Kuvendi i Shqipërisë duhet të njoftojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të plotësuar vakancat.

“Mënyra se si plotësohen vakancat në këtë rast nuk është e shprehur direkt në Kodin Zgjedhor por për analogji mund të përdoret rasti kur parashikohet në ligj vakanca e krijuar nga një deputet i zgjedhur si i pavarur. Që do të thotë, në qoftë se KQZ do të thërrasë kandidatët e PD-së në listë dhe asnjë prej tyre nuk do të pranojë që të marrë mandatin, ky institucion duhet t’ia ofrojë mandatin pastaj subjektit zgjedhor me herësin më të madh që ka”, u shpreh Kume.

Megjithatë ai shtoi se në rast se opozita largohet, edhe mundësitë për të qeverisur zvogëlohen në minimum.

Kume sqaroi se Kuvendi i Shqipërisë mund të funksionojë me këtë përbërje që ka, pasi mazhoranca i ka numrat për të hapur punimet në Kuvend seancën, për të marrë vendime, por jo vendime me shumicë të cilësuar.

Fraksion.com