Rusia, Irani dhe Turqia, bisedime për Sirinë
Udhëheqësit e Rusisë, Iranit dhe Turqisë po takohen sot në pikën turistike ruse të Soçit, në brigjet e Detit të Zi, për të biseduar mbi Sirinë, ndërkohë që konflikti i gjatë në atë vend po i afrohet fundit. Të treja këto vende kanë marrëdhënie rivaliteti me Shtetet e Bashkuara dhe e kanë mirëpritur planin e Presidentit Donald Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Moskë Ricardo Marquina, ekzistojnë pikëpyetje të mëdha se ç’do të ndodhë pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga Siria:
Tetë vjet pas fillimit të luftës, Siria mbetet e paqëndrueshme. Gjatë kësaj kohe, prania e madhe ushtarake ruse dhe e forcave milicore hezbollah me mbështetjen e Iranit, e ka ndihmuar Bashar al-Assadin dhe qeverinë e tij të qëndrojë në pushtet. Analistët thonë se planet e Presidentit Trump për tërheqjen e trupave amerikane krijojnë një skenar të ri në Siri.
“Një çështje shumë e rëndësishme mbetet: si duhen trajtuar kurdët e Sirisë? Rusia, sikurse dhe Irani, do të donin që kurdët të integrohen në një shtet të konsoliduar. Turqia kërkon që ndaj tyre të ushtrohet forca,”- thotë analisti Vladimir Evseev.
Rusia, Turqia dhe Irani, duan të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Në çdo rast, ato kanë mirëpritur tërheqjen e trupave amerikane nga Siria.
“Diskutuam për synimin e Shteteve të Bashkuara për tërheqjen e trupave të tyre nga pjesa verilindore e Sirisë dhe ndikimin që do të lishte kjo në situatën e Republikës Arabe të Sirisë. Në se këto plane bëhen realitet, ky do të ishte një hap pozitiv,” – tha Presidenti rus Vladimir Putin.
“Është shumë e rëndësishme të parandalohet krijimi i një vakuumi në pushtet pas tërheqjes së trupave amerikane,”- tha Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.
Takimi tripalësh po zhvillohet në qytetin turistik të Soçit. Megjithëse Shtetet e Bashkuara nuk marrin pjesë në takim, ato janë mjaft të pranishme në bisedime.
“Të tregohemi objektivë, Shtetet e Bashkuara nuk mund ta dëbojnë Rusinë nga Siria. Kjo është diçka e pamundur. As Rusia nuk ka për t’i dëbuar Shtetet e Bashkuara. Prandaj është e nevojshme që këto vende të arrijnë një marrëveshjeje”, thotë analisti Evseev.
Gjetja e një zgjidhjeje për problemin kurd në Siri, kërcënimi nga sulmet izraelite ndaj forcave hezbollah që kanë mbështetjen e Iranit dhe lufta kundër kërcënimit terrorist nga Shteti Islamik, i dobësuar, por ende i pranishëm, janë disa nga sfidat e mëdha që do të mbeten në Siri edhe shumë kohë pas këtij raundi bisedimesh.
Fraksion.com