NATO nuk do garë armatimesh
Nga MSc. Mimoza Golikja
Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s u takuan në Bruksel këtë javë, në datat 13 dhe 14 shkurt 2019, në dy ditë bisedimesh, në një kohë kritike për sigurinë transatlantike. Ata adresuan sfidat e ngutshme të sigurisë. Në një konferencë shtypi (të martën më 12 dhjetor) përpara takimit dy-ditor, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg njoftoi diskutime të rëndësishme mbi Traktatin e Forcave Bërthamore të Mesme (INF), mbrojtjen e NATO-s dhe qëndrimin parandalues, misionet dhe operacionet e NATO-s dhe bashkëpunimin evropian në mbrojtje. Të njëjtat tema diskutimi ai i konfirmoi edhe në deklaratën hyrëse të një dite më pas para fillimit të takimit ministror. “Rusia vazhdon të shkelë Traktatin e INF-it duke vendosur raketa të reja të mundshme bërthamore të ndërmjetme, raketat SSC-8. Këto raketa janë vështirë të zbulohen, të lëvizshme dhe mund të arrijnë qytetet evropiane, kështu që ky është shqetësim i madh për të gjithë ne. Ne do të vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Rusisë që të kthehet në përputhje me Traktatin e INF” tha ai. “E mirëpres faktin se në të gjithë Evropën dhe Kanadanë ne shohim tani që Aleatët po rriten, duke investuar më shumë në mbrojtje. Aleatët evropianë dhe Kanadaja do të kenë shtuar 41 miliardë dollarë shtesë për shpenzimet e tyre të mbrojtjes që nga viti 2016, gjatë 2 viteve të fundit dhe pres që ky numër të rritet deri në 100 miliardë dollarë deri në fund të vitit të ardhshëm. Pra, ne po bëjmë përparim në ndarjen e barrës”, ishte kështu pra njoftimi i çështjes tjetër të rëndësishme. “Ne gjithashtu do të diskutojmë misionet dhe operacionet e NATO-s në Afganistan, në Irak dhe në Kosovë” tha ai dhe me pas, “me te vertete pres me padurim mikpritjen e ministrit te Mbrojtjes Radmila Sekerinska, që përfaqëson Republikën e Maqedonisë Veriore, pjesëmarrjen këtu si e ftuar në takimin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s për herë të pare”, tha Jens Stoltenberg.
Rusia të kapë mundësinë e fundit
Takimi i të mërkurës filloi me diskutime mbi të ardhmen e Traktatit të INF dhe shkeljes së vazhdueshme të dispozitave të tij nga Rusia. Takimi i bëri thirrje Rusisë të kapë mundësinë e fundit për tu “kthyer në pajtueshmëri dhe për të shpëtuar Traktatin e INF”. Ndërkohë që Moska vazhdon të zhvillojë dhe të vendosë disa batalione të raketave SSC-8, përkundër përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë të NATO-s, për shumë vite, për të inkurajuar Rusinë që të kthehet në pajtim. “Ne të gjithë e dimë se një traktat që respektohet vetëm nga njëra anë nuk mund të na mbajë të sigurt. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara, me mbështetjen e plotë të të gjithë aleatëve të NATO-s, kanë njoftuar synimin e tyre për t’u tërhequr nga Traktati”. Mirëpo kjo nga ana tjetër do të hyjë në fuqi brenda gjashtë muajve, “pra, Rusia ka një mundësi të fundit për të marrë rrugën e përgjegjshme, për t’u kthyer në pajtueshmëri dhe për të shpëtuar Traktatin e INF-it. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që ta shfrytëzojë këtë mundësi”. Në takimin e ministrave të Mbrojtjes, u diskutua se çfarë hapash do të ndërmarrë NATO për t’iu përshtatur një bote me më shumë raketa ruse dhe të mbajë parandalimin efektiv dhe mbrojtjen si dhe çdo hap që aleatët do të ndërmarrin do të koordinohet, matet dhe do të jetë mbrojtës. “Ne nuk synojmë të vendosim raketa të reja bërthamore në Evropë, në të njëjtën kohë, ne mbetemi të angazhuar në kontrollin e armëve kuptimplotë dhe përpjekjet për mospërhapjen e armëve”. NATO nuk dëshiron një garë të re të armëve sepse kjo do të ishte në interesin e askuj, ata gjithashtu “diskutuam më gjerë për parandalimin dhe mbrojtjen e NATO-s”, duke përfshirë punën për “Iniciativën e Gatishmërisë së re”. Kjo do të shtojë gatishmërinë me 30 anije luftarake, 30 batalione toke dhe 30 skuadra ajrore, të disponueshme brenda 30 ditëve. Por dialogu me Rusinë do të vazhdojë, “është me rëndësi të kemi dialog me Rusinë posaçërisht kur përballemi me kaq shumë çështje të vështira me të cilat ballafaqohemi so, me tensionet në rritje, me shkeljen e Traktatit të INF”, prandaj ka rëndësi dialogu me Rusinë “në nivele të ndryshme”. NATO ka thënë në mënyrë të përsëritur se nuk ka plane për të vendosur raketa bërthamore të ndërmjetme në Evropë. “Fokusi ynë kryesor tani është ruajtja e traktatit dhe ekziston një dritare e mundësisë që Rusia të kthehet në përputhje. Për shkak se procesi i tërheqjes nuk do të përfundojë deri në gusht, kështu që ekziston një dritare gjashtë mujore për Rusinë që të kthehet në përputhje dhe ne vazhdojmë të nxisim Rusinë që të kthehet në përputhje me traktatin. Në të njëjtën kohë, po planifikojmë për një të ardhme pa Traktatin e INF dhe me më shumë raketa ruse”, dhe në këtë çështje “shumë serioze, ne do të marrim kohën tone”, por ajo që ësjhtë e rëndësishme është se përgjigjja e Aleancës “do të jetë e bashkuar, Aleatët e NATO-s do të veprojnë së bashku”, sepse NATO nuk do një garë të re të armëve dhe “nuk ka ndonjë qëllim për të vendosur sisteme të reja armë bërthamore në Evropë”, por NATO ndërkohë “ka një sërë opsionesh të tjera konvencionale” dhe do të vazhdojë të ruajë unitetin e saj. Ajo ka qenë e bashkuar në çështjen INF gjatë shumë, shumë viteve, që datojnë në vitet shtatëdhjetë. Po ashtu edhe në vitin 1987, kur të gjithë aleatët e NATO-s mbështesnin Traktatin e INF-it që ndalon të gjitha armët INF, të gjitha armët e ndërmjetme. Po ashtu NATO ka qenë e bashkuar edhe kur administrata Obama, gati 6 vjet më parë, ngriti shqetësimet e saj rreth shkeljes ruse të traktatit, apo në dhjetor të vitit të kaluar, ku të gjithë aleatët ranë dakord, bazuar edhe në inteligjencën e mbledhur, se Rusia është në kundërshtim me traktatin, po kështu edhe në fillim të shkurtit, kur SHBA njoftoi se do të fillonte procesin e tërheqjes nëse Rusia nuk kthehet në përputhje. Nga ana e saj Moska akuzon Uashingtonin me tre shkelje të Traktatit të INF lidhur me raketat MK-41. Por “përpjekjet e Rusisë për t’u përqëndruar në Sistemin e Mbrojtjes së Raketave të NATO-s janë e vetmja mënyrë që përpiqet të shkëpusë vëmendjen nga çështja reale dhe çështja e vërtetë është se Rusia po vendos raketat e reja bërthamore në Europë. Ata e kanë bërë këtë për disa vite me shkelje të hapur të Traktatit të INF-it”, dhe “kur Rusia fillon të flasë për diçka tjetër, është vetëm një mënyrë që të përpiqet të shmangë vëmendjen se cili është problemi. Nuk ka raketa të reja amerikane në Evropë; por në Evropë ka gjithnjë e më shumë raketa të reja ruse, me aftësi për bërthamore. Kjo është arsyeja pse traktati i INF tani është në rrezik të vërtetë dhe gjithashtu arsyeja pse ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Rusisë që të kthehet në pajtim në këtë periudhë gjashtëmujore, kur ata ende mund ta bëjnë këtë, duke e ruajtur Traktatin që do të jetë rëndësi të madhe për të gjithë ne”.
Shpenzimet e Mbrojtjes
Ndarja e shpenzimeve dhe shpenzimet e mbrojtjes ishin në agjendën e takimit të ministarve të Mbrojtjes në Bruksel, ndërkohë që të gjithë aleatët kishin dorëzuar raportet e tyre vjetore në planet e tyre kombëtare për të përmbushur premtimin për investime në mbrojtje. Shqyrtimi i përparimit ishte në të tre dimensionet e premtimit: paratë, aftësitë dhe kontributet. “Në të tre masat, tendenca është rritur. Që nga viti 2016, aleatët evropianë dhe Kanadaja kanë shpenzuar 41 miliardë dollarë më shumë për mbrojtjen dhe bazuar në raportet e fundit, kjo do të rritet deri në njëqind miliardë dollarë deri në vitin e ardhshëm”, tha Stoltenberg. Aleatët po investojnë më shumë në aftësitë moderne duke kontribuar me më shumë forca në misionet dhe operacionet e NATO-s. “Ne ende kemi punë për të bërë, por unë jam i inkurajuar nga progresi i rëndësishëm deri tani” . Gjithashtu shumica e aleatëve kanë paraqitur plane për të arritur 2 përqind deri në vitin 2024. “E mirëpres faktin se edhe ata aleatë që ende nuk kanë paraqitur plane për të arritur 2 përqind, ata kanë filluar të rriten, pra, ata po lëvizin shumë në drejtimin e duhur dhe kjo përfshin Gjermaninë. Ne shohim një rritje të konsiderueshme në shpenzimet e mbrojtjes gjermane”. Plani aktual gjerman përshkruan shpenzimin në një rritje prej 80 për qind në investimet e mbrojtjes deri në vitin 2024 dhe kjo është e rëndësishme, për shkak se Gjermania është një ekonomi e madhe kur bëhet fjalë për shpenzimet totale të mbrojtjes midis aleatëve evropianë të NATO-s. “Gjë e mirë është se të gjithë aleatët kanë ndalur shkurtimet pas viteve të shkurtimit të buxheteve të mbrojtjes. Të gjithë aleatët kanë ndalur shkurtimet dhe të gjithë aleatët tanë tani janë duke rritur investimet në mbrojtje”.
Operacionet dhe Misionet e NATO-s
Dita e dytë e takimit, e enjte 14 dhjetor 2019, u përqëndrua në misionet dhe operacionet e NATO-s, përfshirë Afganistanin, Kosovën, Irakun dhe operacionet detare. “Në Afganistan, situata mbetet e vështirë, por ne gjithashtu shohim përpjekje për paqe. Aleatët janë përditësuar nga afër nga Shtetet e Bashkuara. Ne vazhdojmë të konsultohemi për implikimet e një marrëveshjeje të mundshme paqësore dhe se si NATO mund ta mbështesë atë”, dhe për këtë takimet me ambasadorin e SHBA Khalilzad, kanë qenë të shpeshta, madje “ është hera e tretë në javët e fundit që takohemi me të, është shumë herët për të thënë nëse do të ketë një marrëveshje”. NATO vazhdon të ndihmojë forcat afgane të sigurisë të krijojnë kushtet për një zgjidhje paqësore, por ajo që është e qartë është se aleatët shkuan së bashku në Afganistan dhe së bashku do të përcaktojmë sjelljen e ardhshme, bazuar në kushtet që do përcaktojnë me afganët. Prezenca ushtarake e NATO-s në Afganistan ka të bëjë me sigurimin, krijimin e kushteve për një zgjidhje politike dhe paqësore dhe qëllimi natyrisht që nuk është “në Afganistan përgjithmonë. Qëllimi I NATO-s është që të jetë në Afganistan për të luftuar terrorizmin dhe për të trajnuar, ndihmuar dhe këshilluar Ushtrinë Kombëtare Afgane, forcat e sigurisë, në mënyrë që ata të mund të stabilizojnë vendin e tyre dhe ende “nuk është marrë ndonjë vendim për ndonjë tërheqje”. Por NATO mbështet fuqimisht përpjekjet për të arritur një zgjidhje politike dhe paqësore. “Prandaj ne jemi në kontakt të ngushtë me të dërguarin e posaçëm të SHBA, ambasadorin Khalilzad. Ai i ka informuar Aleatët e NATO-s tri herë gjatë javëve të fundit lidhur me përpjekjet për të arritur një marrëveshje me talebanët”. Aleatët e NATO-s ishin së bashku në Afganistan dhe “vendimet mbi qëndrimin e ardhshëm në Afganistan do të merren së bashku, bazuar në kushtet e vendosura së bashku me afganët”, në mbështetje të përpjekjeve për paqe. Qëllimi i NATO-s në Afganistan është “të luftojë terrorizmin dhe të krijojë kushtet për një zgjidhje paqësore, duke ndihmuar, trajnuar dhe mbështetur forcat afgane të sigurisë.
Kurse në Irak, NATO ka misionin e saj të ri. Mbështetja e Aleancës do të ndihmojë Irakun të parandalojë ringjalljen e ISIS ose grupeve të tjera terroriste. NATO ka adresuar gjithmonë luftën kundër terrorizmit, “situata në Siri është e rëndësishme , NATO nuk është e pranishëme në terren në Siri, por janë disa aleatë të NATO-s” si për shembull, përpjekjet e Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara në Sirinë veriore.
Çështja tjetër e trajtuar ishte ajo lidhur me misionin e KFOR-it të NATO-s në Kosovë, i cili ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor për 20 vitet e fundit. Në të njëjtën kohë,takimi shqyrtoi nivelin e mbështetjes për Forcën e Sigurisë së Kosovës pas ndryshimit të mandatit të saj. Ka pasur disa deklarata lidhur me këtë temë por Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk mund të shkojnë në veri pa lejen e KFOR-it, edhe pse Kryeministri Haradinaj tha se forcat e sigurisë mund të shkojnë si në veri apo jugi të Kosovës. Por ka një marrëveshje, “Marrëveshjen e Brukselit e 2013 duke deklaruar qartë se Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk mund të shkojnë në veri pa dakordësinë e komandantit të KFOR-it, COMKFOR-it”, dhe “kjo marrëveshje është ende e vlefshme, ende zbatohet dhe lkjo kjo është gjithashtu diçka që thuhet qartë nga shumë aleatë”. NATO do të mbetet në Kosovë me KFOR-in, sepse KFOR-i bazohet në mandatin e OKB-së dhe prania e KFOR-it, është dhe ka qenë e rëndësishme për stabilitetin në Kosovë dhe në të gjithë rajonin. Ajo që vlerësohet është prania e NATO-s, “aktivitetet tona jashtë misionit të KFOR-it. Ne kemi lloje të ndryshme të mbështetjes për ndërtimin e kapaciteteve për Forcat e Sigurisë së Kosovës, të cilat nuk janë pjesë e misionit të KFOR-it, por janë aktivitete të NATO-s jashtë saj”, randaj trajtimi në nivelin e këtij angazhimi bazuar në faktin se shumë aleatë besojnë se vendimi për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri të Kosovës ishte e pa matur dhe për këtë arsye ka një rëndësi të veçantë.
Bashkëpunimi NATO-BE
Një sesion i përkushtuar ndaj bashkëpunimit NATO-BE dhe përpjekjeve të BE-së për mbrojtjen, ishte ai në takimin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s. “Bërë në mënyrë të drejtë, përpjekjet e BE-së mund të forcojnë shtyllën evropiane në NATO dhe të çojnë në ndarjen më të drejtë të barrës. Por sigurisht, përpjekjet e BE-së për mbrojtjen nuk mund ta zëvendësojnë NATO-n. Pra, duhet të sigurojmë që përpjekjet tona të plotësojnë dhe të mos konkurrojnë me njëri-tjetrin” dhe takimi me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së Mogherini tregon për një bashkëpunim midis NATO-s dhe BE. Nuk ka kontradiktë midis përpjekjeve të BE-së për mbrojtjen dhe një NATO-je të fortë. “Në fakt, kjo funksionon në mënyrë të përkryer, për sa kohë që përpjekjet e BE-së janë bërë në mënyrën e duhur, që do të thotë: të mos konkurrojnë, të mos dyfishohen me përpjekjet e NATO-s, por të plotësohen”. Përpjekjet e BE-së “do të forcojnë shtyllën evropiane në NATO, Fondi Evropian i Mbrojtjes, do të ndihmojë në zhvillimin e aftësive të reja, do të ndihmojnë në rritjen e investimeve të mbrojtjes, ato do të ndihmojnë në adresimin e fragmentimit të industrisë së mbrojtjes evropiane. E gjithë kjo do të forcojë aleatët evropianë të NATO-s”. BE-ja kurrë nuk mund ta zëvendësojë NATO-n “kur bëhet fjalë për mbrojtjen kolektive dhe mbrojtjen e Evropës”. Rritja e bashkëpunimit në mes të aleatëve evropianë në NATO, si ushtrimet dhe zhvillime të aftësive tregojnë për një punë të përbashkët të anëtarëve të BE-së jo-NATO-s, si Suedia dhe Finlanda që kanë moarrë pjesë, në Trident Juncture apo Trung Junction që është një ushtrim i madh i NATO-s dhe që kanë sjellë së bashku aleatët evropianë, shumica e tyre anëtarë të BE-së, që janë ushtruar së bashku. NATO nxit shumë bashkëpunime evropiane dhe PESCO dhe përpjekjet e tjera të BE-së për mbrojtjen mund të forcojnë vetëm shtyllën evropiane të NATO-s. “Është e rëndësishme që ne duhet të shmangim çdo perceptim që Evropa mund të menaxhojë pa NATO-n, sepse dy luftëra botërore dhe Lufta e Ftohtë na mësuan se ne kemi nevojë për një lidhje të fortë transatlantike për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Evropë dhe sidomos pas Brexit, është e qartë se përpjekjet e BE-së nuk mund të zëvendësojnë NATO-n, sepse pas Brexit, 80 përqind e shpenzimeve të mbrojtjes të NATO-s do të vijnë nga anëtarë të BE-së. Kjo është pjesërisht për para, por edhe pjesërisht për gjeografinë. Norvegjia në veri, jo një aleat shumë i madh, por i rëndësishëm kur bëhet fjalë për veriun e lartë. Turqia në jug, shumë e rëndësishme në luftën kundër terrorizmit dhe pastaj në perëndim do të keni aleatë të mëdhenj si Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar. NATO mbështet fuqimisht përpjekjet për kontrollin e armëve dhe ka qenë “në ballë të punës” për të ecur përpara agjendën e kontrollit të armëve për shumë vite.
2019, 70 vjetori i NATO-s dhe 10 vjetori I hyrjes të vendeve të para të Ballkanit Perëndimor në Aleancë
“Përfundimisht, më lejoni të them që jam jashtëzakonisht i kënaqur që në këtë takim do të mirëpresim për herë të parë kolegen tonë nga Shkupi, ministren Radmilla Sekerinska. Republika e ardhshme e Maqedonisë Veriore tani ka një vend në tryezën e NATO-s”, do të shprehte kënaqësinë e tij Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg. Por gjithashtu ky vit do të shënojë 70 vjet të krijimit NATO-s, por do të shënojë gjithashtu edhe 10 vitet e vendeve të para të Ballkanit Perëndimor që kanë hyrë në Aleancë. Shqipëria dhe Kroacia u bashkuan në 2009, Mali i Zi në vitin 2017 dhe “në rrugën e mirëpritjes është gjithashtu Republika e Maqedonisë Veriore si anëtari i 30-të”. Zgjerimi me anëtarët nga Ballkani Perëndimor ka forcuar NATO-n, por gjithashtu ka ndihmuar për të stabilizuar Ballkanin Perëndimor dhe “për të ndihmuar në forcimin e atyre vendeve në rajon që janë bashkuar me NATO-n, si Mali i Zi dhe tani dhe Republika e Maqedonisë Veriore. “Duhet të kujtojmë se jo shumë vite më parë, në vitet 1990 dhe madje edhe në fillim të vitit 2000, pamë konflikte të armatosura, pamë mizori, pamë luftëra në Ballkanin Perëndimor, në Bosnjë e Hercegovinë, në Kosovë, Serbi. Ne gjithashtu panë një situatë vërtet të rrezikshme në atë që e quajtëm ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, e cila tani do të jetë Republika e Maqedonisë Veriore. NATO ka luajtur një rol kyç në zgjidhjen e këtyre konflikteve, duke i dhënë fund luftrave dhe duke ndihmuar në stabilizimin”. Ekzistojnë shumë sfida, ende shumë probleme, por “është jashtëzakonisht inkurajuese të shohim se kemi anëtarë si Sllovenia, si Kroacia, si Shqipëria, por edhe tani, kohët e fundit, Mali i Zi dhe Republika e Maqedonisë Veriore”.
Fraksion.com