Kuvendi shqiptar ratifikon protokollin për Maqedoninë në NATO
Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar në seancën e sotme plenare protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.
Projektligji “Për ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut” u miratua me 130 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, nga 138 deputetë të pranishëm në seancë, duke marrë mbështetjen e deputetëve të pozitës dhe opozitës.
Në fjalën e tij kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, tha se sot është një ditë e shënuar për rajonin dhe për gjithë Aleancën e Atlantikut të Veriut.
“Një anëtar i ri, Republika e Maqedonisë së Veriut është pranuar si anëtari i 30 në gjirin e aleancës më të madhe mbrojtëse të kohës. Për t’ia arritur kësaj dite vendi fqinj dhe mik kaloi sprova të mëdha, njërën prej tyre atë më të vështirën sapo e kapërceu nëpërmjet një dëshire për progres, zhvillim, stabilitet dhe paqe”, tha Ruçi.
Duke folur për nënshkrimin e protokollit, kryeparlamentari Ruçi tha: “Shpreh kënaqësinë që Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, është ndër parlamentet e para që po e ratifikon këtë protokoll, duke nisur hapin ligjor përfundimtar që do të mundësojë pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Ky hap i madh u bë i mundur në sajë të Marrëveshjes së Prespës midis dy fqinjëve tanë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut”.
Sipas Ruçit, anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO është një vlerë e shtuar për progresin euroatlantik të të gjithë rajonit, “për zhvillim, paqe dhe stabilitet rajonal e global”.
Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij tha se ky moment i votimit nga Kuvendi i Shqipërisë për protokollin e aderimit të vendit fqinj në NATO përkon me një kohë të artë të marrëdhënieve ndëretnike mes dy popujve shtetformues të Maqedonisë së Veriut.
“Pa shqiptarët nuk do të kishte Republikë të Maqedonisë së Veriut dhe për Shqipërinë integriteti territorial i Maqedonisë së Veriut, bashkëjetesa mes dy popujve tanë në territorin e republikës fqinje dhe gjuha shqipe në atë territor, janë jo vetëm të pacenueshme, por dhe jetike për të sotmen dhe të ardhmen tonë dhe të paqes e stabilitetit në rajon”, deklaroi Rama.
Sipas Ramës, roli i Shqipërisë në këtë proces historik për Maqedoninë e Veriut ka qenë mbështetës dhe jo udhëheqës.
I pranishëm në seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë ishte edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Pas votimit të protokollit, në fjalën e tij, Xhaferi tha se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë të ndërtuara në fijet e forta të miqësisë.
“Kemi raporte bilaterale të zhvilluara në të gjitha nivelet politike më të larta, por edhe në fushën e bashkëpunimit ekonomik, kulturor, arsimor, turistik. Jeni mbështetës i fortë në gjitha nismat rajonale dhe para organizmave ndërkombëtarë. Jemi të përkushtuar për ndërtimin e një shoqërie për të gjithë, pa dallime në përkatësinë etnike, fetare dhe sociale. Synimi jonë është shteti demokratik dhe institucione funksionale në shërbim të qytetarëve prandaj punojmë me përkushtim”, tha Xhaferi.
Ai, duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, theksoi se fitoi largpamësia dhe guximi i shumicës parlamentare, si dhe vizoni për të ardhmen e sigurt.
Në seancë u mbajt edhe një minutë heshtje për të nderuar viktimat e aksidentit të djeshëm rrugor në Maqedoninë e Veriut.
Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë është përfshirë edhe nga tensionet pasi është hedhur bojë në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), njëkohësisht nënkryetar i Kuvendit, Edi Paloka, ka hedhur bojë ndaj kryeministrit Rama, duke shkaktuar më pas tensione në sallën e seancave plenare dhe ndërprerjen e saj për disa minuta.