Haradinaj: Platforma për dialogun e gatshme për të kaluar në Kuvend
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se pas konsultimeve me ekipin negociator në dialogun me Serbinë, është rënë dakord që platforma e dialogut të kalojë në Kuvendin e Kosovës.
Këto deklarata, Haradinaj i bëri pas takimit që zhvilloi me ekipin negociator, ku tha se morën pjesë edhe krerët shtetërorë.
“Përfundimisht kemi një dakordim për platformën e Kosovës në dialog. Tani, procedurë tjetër është konfirmimi nga vetë delegacioni shtetëror që të mund të kalojë në Parlament. Mendoj se platforma është një dokument i qëndrueshëm i parimeve dhe qëndrimeve që ka Kosova në dialog. Buron nga Kushtetuta, i obligohet dhe mbron Kushtetutën e vendit, personalisht i jap përkrahje”, tha Haradinaj, shkruan REL.
Ai shtoi se platforma është shumë e rëndësishme për të ardhmen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, andaj bëri thirrje që edhe opozita të ketë zërin e saj.
“Edhe nëse Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje nuk marrin pjesë direkt në delegacion, mendoj se ata mund ta japin kontributin e vet, qoftë duke përkrahur platformën apo duke dhënë mendimet e tyre për platformën”, tha Haradinaj.
Ekipi negociator i Kosovës bashkëkryesohet nga Fatmir Limaj, nga Nisma Socialdemokrate, dhe Shpend Ahmeti i Partisë Socialdemokrate.
Limaj, pas takimit të enjten, tha se kanë marrë mbështetje të plotë institucionale ndaj draft-platformës së hartuar për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
I pyetur nga gazetarët nëse deklaratat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se mospezullimi i taksës 100% mbi prodhimet e imporrtuara nga Serbia dhe Bosnje e Hecegovina, i dëmton raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Haradinaj tha se “askush nuk është zëdhënës i SHBA-së”.
“Amerika flet vetë, as presidenti, as unë, as askush nuk është zëdhënës i Amerikës. Nuk kanë nevojë që dikush të flasë për ta, ata flasin vetë, dinë të flasin, i shpjegojnë gjërat”, tha Haradinaj.
Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë në disa raste se taksa, e vendosur qysh në nëntor, është kundër interesave amerikanë.
Vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas zyrtarëve të BE-së që janë ndërmjetësues të procesit, mbetet i paqartë, përderisa Kosova e mban në fuqi taksën doganore.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dialogu nuk vazhdon pa u hequr taksa.
Fraksion.com