Fajon bën thirrje për vazhdim të dialogut dhe përparim në procesin e liberalizimit të vizave
Raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka thënë se çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe liberalizimi i vizave kanë ngecur.
Ajo këto komente i bëri gjatë një takimi të eurodeputetëve me një delegacion të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter, Fajon njoftoi se gjatë takimit, ka bërë thirrje që këto dy çështje të zgjidhen sa më shpejt.
“Unë sinqerisht kam shpresuar se të dyja çështjet – dialogu në mes të Beogradit dhe Prishtinës si dhe çështja e vizave për qytetarët e Kosovës do të zgjidhen brenda mandatit të Parlamentit Evropian. Por, të dyja çështjet janë të bllokuara! Bëj thirrje që të veprohet nga ana e përgjegjësve”, tha Fajon.
Raportuesja për vizat në Parlamentin Evropian Tanja Fajon, gjatë prezantimit të rekomandimit kishte thënë se qytetarët e Kosovës e meritojnë votën pro, pasi institucionet e Kosovës i kanë përmbushur gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Ndërkaq, ecuria e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim nga Brukseli, nuk ka shënuar përparime, për shkak të vendosjes së taksës 100% nga autoritetet e Kosovës, ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.