Erdoğan takon homologun rus Putin para samitit trepalësh
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, takoi homologun e tij rus Vladimir Putin përpara samitit trepalësh në lidhje me Sirinë që do të mbahet sot në qytetin e Soçit.
Duke folur gjatë takimit midis delegacioneve të dy vendeve, Erdoğan tha se Turqia mbështet idenë e zonës së sigurtë në Siri përderisa ajo shërben në mënjanimin e shqetësimeve të saj rreth sigurisë kombëtare.
“Përshendesim qasjen e Rusisë ndaj zonës së sigurt”, shtoi presidenti turk.
Erdoğan riafirmoi vendosmërinë e Turqisë për pastrimin e organizatës terroriste YPG/PYD/PKK nga Siria.
“Pa pastruar PYD-në dhe YPG-në nga Munbixhi dhe lindja e Eufratit, nuk mund të sigurohet integriteti territorial i Sirisë”, theksoi ai.
“Së shpejti mund të përfundojmë formimin e komitetit kushtetues të Sirisë, duke pasur parasysh hezitimin e shprehur nga Kombet e Bashkuara”, shtoi Erdoğan.
Ndërkaq, presidenti rus Putin shprehu bindjen se së bashku me Turqinë do t’i japin shtysë të re dialogut midis palëve në Siri.
“Kemi arritur përparim të rëndësishëm në Siri në saje të aktiviteteve me Turqinë”, tha Putin.
“Nëse punojmë në mënyrë aktive dhe në koordinim të ngushtë dhe kërkojmë kompromise për situatën në Siri, do të jemi në gjendje të arrijmë qëllimet tona”, shtoi presidenti rus.
Ndryshe, presidenti Erdoğan në kuadër të vizitës së tij në Soçi do të marrë pjesë në Samitin e Katërt Trepalësh me temë Sirinë, ku do të marrin pjesë edhe presidentët e Rusisë dhe Iranit, Vladimir Putin dhe Hasan Ruhani.
Në samit do të shqyrtohen përpjekjet e përbashkëta të platformës së Astanas në terren dhe pocesin politik për të gjetur zgjidhje të përhershme për konfliktin sirian./AA
Fraksion.com