AktualitetTë fundit

Bashkiae Tiranës; Ja ku do të zhvillojnë mësim nxënësit e “Gustav Majer”

Në kuadër të  nisjes së punimeve për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Gustav Majer”, Bashkia e Tiranës sqaron nxënësit e kësaj shkolle se rikonstruksioni do të zgjasë për një periudhë kohore rreth 6 muaj,nxënësve do u duhet të zhvillojnë mësimin në një shkollë tjetër. Bashkia sqaron se ndërhyrja  në këtë  institucion është e nevojshme për shkak të problemeve që janë konstatuar  në sistemin qendror të ngrohjes, nyjeve sanitare dhe kushteve të palestrës.

Sqarimi i plotë i Bashkisë së Tiranës:

Në vijim të punës për përmirësimin e kushteve të mësimit për nxënësit e të gjitha institucioneve arsimore, Bashkia e Tiranës do të nisë së shpejti rikonstruksionin e shkollës 9 vjeçare “Gustav Majer”. Ky rikonstruksion, i cili do të zgjasë për një periudhë kohore deri në 6 muaj, është i domosdoshëm për shkak të nevojës për ndërhyrje në sistemin qendror të ngrohjes, nyjeve sanitare dhe kushteve të palestrës.

Por, nisur nga shqetësimi i drejtë i disa prej prindërve të nxënësve të shkollës 9 vjeçare “Gustav Majer”, të cilët do të duhet ta zhvillojnë mësimin në një shkollë tjetër për shkak të rikonstruksionit të saj, Bashkia e Tiranës dëshiron të sqarojë se arsyeja e ndërhyrjes në këtë periudhë të vitit në këtë shkollë është sigurimi i kohës së nevojshme për të kryer të gjitha punimet e parashikuara, në mënyrë që shkolla e rikonstruktuar të çelë dyert për nxënësit e saj në shtator 2019.

Rikonstruksioni i shkollës 9 vjeçare “Gustav Majer”, punimet e së cilës pritet të përfundojnë në periudhën maj-qershor 2019, ndër të tjera përfshin:

– Ndërrimin e kaldajës, rregullimin e sistemit qendror të ngrohjes dhe sistemin e ventilimit;

– Rehabilitimin e të gjitha nyjeve hidrosanitare;

– Rehabilitimin e plotë të palestrës, përfshirë edhe zëvendësimin e parketit;

– Sistemimin e të gjitha kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza;

– Hidroizolimin e tarracës së shkollës, për shmangien e lagështirës;

– Vendosjen e ndriçimit LED.

Sistemimi i nxënësve për vazhdimin e përkohshëm të mësimit në një shkollë tjetër kryhet nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës. Punimet për rikonstruksionin e shkollës “Gustav Majer” do të nisin pas datës 18 shkurt, vetëm pasi DAR-i të ketë sistemuar të gjithë nxënësit.

Bashkia e Tiranës dëshiron mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë prindërve të nxënësve që frekuentojnë shkollën “Gustav Majer”, që rikonstruksioni i saj të fillojë brenda këtij muaji, pasi ndërhyrjet në godinë kërkojnë një kohë dy herë më të gjatë se sa periudha 3 mujore e pushimeve verore.

 

Fraksion.com