AktualitetBota+Të fundit

Rusia, Kina në qendër të vizitës së Sek. Pompeo në Evropën Qendrore

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ndodhet në një turne në vendet e Evropës qendrore. Gjatë qëndrimeve në Sllovaki dhe Hungari, në qendër të diskutimeve ka qenë influenca në rritje e Rusisë dhe Kinës në rajon. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgewell, përveç tonit të ngrohtë në shkëmbimet mes shefit të diplomacisë amerikane dhe aleatëve të Evropës Qendrore në NATO, dukeshin qartë tensionet mbi tema si liria e shtypit dhe marrëdhëniet me Rusinë:

Sekretari Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara kanë qenë mik i Sllovakisë gjatë tre dekadave të pavarësisë së saj, duke shtuar se përkrahja amerikane do të vazhdojë.

Shefi i diplomacisë amerikane u shpreh me tone miqësore edhe në takimin me homologun hungarez të hënën, duke folur me keqardhje për tërheqjen e Amerikës nga Evropa Qendrore që i kishte dhënë mundësi Rusisë dhe Kinës të mbushnin vakumin.

“Fola me ministrin e jashtëm mbi nevojën urgjente për të mbështetur Ukrainën në përpjekjet e saj për sovranitet dhe integritet territorial. Nuk duhet t’ia lejojmë presidentit rus, Putin të krijojë përçarje mes miqsh e aleatësh në NATO. Hungarezët e kanë mësuar mirë nga historia e tyre se Rusia autoritare nuk do të jetë kurrë mike e lirisë dhe sovranitetit të kombeve,” tha zoti Pompeo.

Strategjia e administratës së presidentit Trump ka qenë forcimi i lidhjeve me vendet e Evropës Qendrore e Lindore, thotë analisti Jonathan Eyal, i Institutit të Shërbimeve të Bashkuara Mbretësore.

“Bëhet fjalë për vende që në sytë e shteteve të tjera evropiane po largoheshin nga konsensusi i përbashkët, që po përqafonin një axhendë më pranë ekstremit të djathtë për çështje si imigracioni, por edhe në qëndrimin ndaj Rusisë”.

Analisti thotë se afrimi me këto vende nuk bëhet thjesht për arsye ideologjike:

“Administrata amerikane po përcjell dy mesazhe. Së pari këto vende duhet të mbajnë peshën që u takon në sferën e mbrojtjes. Së dyti ekziston mirëkuptimi se nuk ka një formulë të vetme që funksionon për çdo vend, se jo çdo vend evropian duhet të mbajë të njëjtin qëndrim. Por ata duhet të mbeten besnikë ndaj NATO-s”.

Analistët thonë se në brendësi të marrëdhënieve ka tensione. Shtetet e Bashkuara janë zotuar të mbështesin nisma anti-korrupsion si dhe median e pavarur në Hungari. Grupe aktivistësh kanë dhënë alarmin për masa shtypëse të qeverisë.

Budapesti shihet gjithashtu si tepër i afërt me Moskën. Rusia po ndërton dy reaktorë bërthamorë në Hungari.

Sekretari Pompeo kritikoi lidhjet e Hungarisë me firmën kineze të telekomunikacionit, Huawei, për të cilën Uashingtoni dyshon se mund të jetë angazhuar në spiunazh për shtetin kinez. Zoti Pompeo paralajmëroi se prania e kompanisë Huawei e bën më të vështirë partneritetin e Uashingtonit me Budapestin.

Kina reagoi dje ndaj komenteve:

“Shtetet e Bashkuara nuk janë kursyer në përpjekjet për të sajuar çdo lloj akuze dhe kanë fabrikuar teori nga më të ndryshmet për kërcënime nga Kina,” tha Hua Chunying, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Gjatë turneut në Evropën Qendrore Sekretari Pompeo do të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë mbi Lindjen e Mesme, në Poloni, ku në qendër të vëmendjes do të jetë Irani.

 

Fraksion.com