AktualitetBota+Të fundit

Talibanët emërojnë ekipin negociator me SHBA-në

Talibanët njoftuan për formimin e një ekipi negociator prej 14 anëtarësh, përpara bisedimeve për paqe që do të zhvillojnë këtë muaj me të dërguarin e posaçëm amerikan për Afganistanin.

Ekipi do të udhëhiqet nga Sher Mohammad Abbas Stanikzai.

Lista përfshin edhe Anas Haqqanin, vëllain e burgosur të udhëheqësit të rrjetit Hakani, që është një fraksion i fuqishëm i talibanëve.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, tha se Haqqani, i cili po mbahet në Kabul, “duhet të lirohet për të nisur punën me ekipin negociator”.

Megjithatë, autoritetet afgane thanë se nuk është marrë ende asnjë vendim për lirimin e tij.

Bisedimet për t’i dhënë fund luftës mbi 17-vjeçare në Afganistan kanë shënuar kthesë muajin e kaluar, kur i dërguari amerikan, Zalmay Khalilzad, ka njoftuar se negociatorët amerikanë dhe talibanë, pas bisedimeve në Doha të Katarit, kanë rënë dakord për strukturën e një marrëveshjeje të paqes.

Negociatorët pritet të takohen sërish në Doha më 25 shkurt.

Talibanët, tash për tash, refuzojnë të bisedojnë drejtpërdrejt me Qeverinë afgane, të cilën e konsiderojnë si “kukull” të SHBA-së.

 

Fraksion.com