Stoltenberg: FSK-ja nuk mund të hyjë në Veri
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se disa aleatë janë të zhgënjyer me taksën që Kosova i ka vënë Serbisë dhe Bosnjës dhe se transformimi i FSK-së në ushtri do të jetë sërish temë në mbledhjen e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s.
Para mbledhjes së ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, që mbahet me 13 dhe 14 shkurt, në një konferencë për shtypin, shefi i NATOs tha se ndër temat që do të diskutohet në Bruksel është edhe ndryshimi i mandatit të FSK-së.
“Në të njëjtën kohë ne do ta rishikojmë përkrahjen tonë për Forcat e Sigurisë së Kosovës, pasi ndryshuan mandatin e tyre”, tha Stoltenberg.
Ai tha gjithashtu se NATO është e shqetësuar me vendosjen e taksës nga Kosova për produktet serbe dhe boshnjake dhe tha se ushtria e Kosovës se duhet ta respektojë marrëveshjen e Brukselit dhe të mos hyjë në veri, pa leje të KFOR-it.
“Disa aleatë në NATO janë të zhgënjyer me vendimin për vendosjen e taksës. Gjithashtu kërkojmë respektimin e Marrëveshjes së Brukselit, ku është e qartë se forcat e sigurisë vendore nuk mund të hyjnë në veri pa lejen e komandantit të KFOR-it”, tha Stoltenberg.
Fraksion.com