AktualitetBota+Të fundit

Senatorja Klobuchar hyn në garën për Shtëpinë e Bardhë

Një tjetër emër iu shtua listës së kandidatëve që kanë hyrë në garën presidenciale të partisë demokrate për zgjedhjet e vitit 2020.

Senatorja nga Minesota Amy Klobuchar njoftoi zyrtarisht kandidaturën e saj të dielën në një tubim në motin e acartë dhe me dëborë në Mineapolis, me temperaturat minus 9 gradë Celsius.

“Unë nuk kam një makinë politike. Nuk vij nga një familje e pasur. Por ajo që kam është kurajoja. Kam familje, kam miq, kam fqinjë dhe të gjithë ju që jeni të gatshëm të dilni në tubim në mes të dimrit. Të gjithë ju që keni gjetur kohë për të na parë sot nga televizori. Të gjithë ju që jeni të gatshëm të ngriheni dhe të thoni se njerëzit janë të rëndësishëm “.

Ndërsa nuk e përmendi Presidentin Donald Trump me emër, senatorja tha se vendi është lodhur nga ajo që e quajti “politikë e jashtme me Twitter” dhe tha se amerikanët janë “të lodhur nga natyra mendjengushtë dhe e egër e politikës sonë”.

“Ndalni frikën dhe urrejtjen. Mund të vijmë nga vende të ndryshme, mund të lutemi në mënyra të ndryshme, mund të dukemi ndryshe dhe të duam ndryshe, por ne të gjithë jetojmë në të njëjtin vend të ëndrrave të përbashkëta”, tha senatorja Amy Klobuchar.

Zonja Klobuchar, senatore në mandatin e tretë, është e njohur për pikëpamjet e saj centriste dhe aftësinë për të negociuar me republikanët e opozitës.

Ajo hyn në një garë shumë të ngarkuar me kandidatë që përfshijnë edhe senatoren Kamala Harris, Cory Booker, Kirsten Gillibrand dhe Elizabeth Warren, e cila njoftoi të shtunën kandidaturën e saj në shtetin e Masaçjusets./VOA

 

Fraksion.com