AktualitetTë fundit

Polici ngacmoi 15-vjeçaren, nëna e vajzës: S’më pranuan denoncimin; Thanë është me Rilindjen

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj shkoi sot në Malësinë e Madhe pas arrestimit të inspektorit që u akuza nga një nënë për ngacmimin seksual të së bijës 15-vjeçare.

Denoncimi në fakt është bërë në internet dhe duket se të gjithë janë tani në kërkim të një denoncimi zyrtar.

“Polici është arrestuar që mbrëmë. Nuk është e vërtetë që ka pasur denoncim në polici. Policia tani po kërkon denoncuesin, i cili nuk gjendet. Pyetja është: kush është denoncuesi? Shumë shpejt do t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje”, tha Lleshaj.

Por reporteri i A2CNN në Shkodër raporton se: “Materiali është regjistruar në banesë personale. Video është gjetur nga nëna e vajzës dhe më pas është dorëzuar nga ajo në media, e më tej edhe në polici. Nuk i kanë pranuar denoncimin, të paktën sipas saj, e cila shprehet se në polici i kanë thënë që të mos merret me atë person pasi është malësor e me “Rilindjen”. Disa orë pasi video është bërë publike, është bërë shoqërimi i policit”.

Ngjarja në Malësinë madhe vjen pas asaj të Kavajës ku një 13-vjeçare u abuzua nga disa bashkëmoshatarë të saj. Shoqëria civile protestoi sot në Shkodër, kundër abuzimeve seksuale dhe dhunës.

 

Fraksion.com