Kosovë: Shpend Ahmeti dorëzon padi ndaj Lëvizjes Vetëvendosje
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dorëzoi padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës kundër Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas Ahmetit, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë shpifje në lidhje me furnizimin me qumësht në shkollat e kryeqytetit të Kosovës.
“Sot ushtrova padi ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për shpifjet e vazhdueshme që i ka bërë, posaçërisht në këtë rast – ka të bëjë me qumështin në shkollat e Prishtinës. Këtë padi e kam bërë sepse ata tërë kohën e kanë shpallur veten gjykatës, edhe pse kanë qenë tërë kohën në furnizimin me qumësht dhe të gjitha këto furnizime, të cilat ata i kanë potencuar, kanë ndodhur sa kam qenë unë në Lëvizjen Vetëvendosje”, tha Ahmeti.
Ahmeti tha se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është ai që fshihet prapa të gjitha këtyre akuzave.
“Kur pajtohesh me Albin Kurtin, quhet socialdemokraci; kur nuk pajtohesh me të, quhet korrupsion”, tha Ahmeti para gazetarëve.
Në fillim të vitit 2018, brenda Lëvizjes Vetëvendosje kanë filluar mospajtime, të cilat kanë rezultuar me ndarje dhe formimin e Partisë Socialdemokrate, të cilën e drejton Shpend Ahmeti.