AktualitetPolitikëTë fundit

Gjosha: Sandër Lleshaj dhuroi show në Malësi të Madhe

Ish-ministrja e Integrimit dhe deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha e pranishme në rubrikën “Opinion” në News 24 komentoi ngjarjen e rëndë në Malësi të Madhe, aty ku një punonjës i policisë dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur.

Ajo lëshoi kritika të forta për ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili sot udhëtoi drejt Malësisë së Madhe për t’u njohur nga afër me rastin ku është përfshirë efektivi i policisë së Gruemirës. Mes tjerash, Klajda Gjosha vizitën e Lleshajt në Malësi të Madhe e konsideroi si një show.

“Lajmi i orëve të mëngjesit sot ka qenë një lajm tronditës ku bashkëshorti vret gruan. Nuk është rasti i parë, por për fat të keq rastet janë shtuar. Vrasësi është punonjës i shtetit. Çështja duhet të shtrohet shumë e gjerë: A kanë besim qytetarët më tek institucionet?

Dy raste kemi parë në Kavajë dhe në Malësi të Madhe. Ato janë skandaloze dhe kjo kërkon një reagim të gjithë shoqërisë. Show i ditës i ministrit Lleshaj, i cili u nis për dy orë rrugë dhe shkoi i painformuar në Malësinë e Madhe dhe tha se nuk kishte një denoncim: Kjo është ngjarje shumë e rëndë. Shoqëria duhet të reagojë. Ai nuk është më ministri i Brendshëm. Këto ngjarje e tronditin thellë shoqërinë shqiptare, por mbi të gjitha po godasin familjet shqiptare ”, tha ajo.

Ish-ministrja u ndal edhe tek protestat e 16 shkurtit, që sipas saj, do të jetë një protestë model dhe e jashtëzakonshme. Duke iu përgjigjur pyetjeve në studio për dhunën dhe krimet në familje, Gjosha tha se ajo që është e gabuar ka të bëjë me mënyrën se si edukohemi.

“Problemi nuk ka qenë ligji, por zbatimi i tij. Kjo ndodh sepse institucionet nuk funksionojnë dhe nuk japin besim tek qytetarët.  Ne u japim fëmijëve kulturën e gabuar verbale, fizike dhe psikologjike.

Protesta e 16 shkurtit do të jetë spektakolare. Ka për të kaluar pritshmëritë e ndërkombëtarëve. Është e rëndësishme që aty të jenë gjitha aktorët socialë. Protesta do të jetë e jashtëzakonshme për t’i dhënë ndal këtij sistemi, i cili është krijuar me vota të vjedhura dhe kjo ka tronditur edhe gjithë demokracinë”,  shtoi ajo.

 

Fraksion.com