A do të jetë ‘diplomacia fluturuese’ formë e re për vazhdimin e dialogut?
Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet i bllokuar si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifës doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Por, përkundër këtij fakti, përfaqësuesit e Ekipit negociator të Kosovës thonë se aktualisht po punohet në platformën për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi, që po zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Një takim i ri ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, sipas Bashkimit Evropian, nuk pritet të realizohet përderisa Kosova e mbanë në fuqi tarifën doganore. Edhe SHBA-ja u ka bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të pezullojnë tarifën, duke i cilësuar veprimet kundër dialogut në kundërshtim me interesat amerikane.
Në një situatë të tillë, mbetet të shihet nëse BE-ja apo edhe SHBA-ja do të aktivizojnë edhe diplomacinë për realizimin e takimeve të ndara me palët në Prishtinë dhe në Beograd, në përpjekje të arritjes së pajtimit për vazhdimin e dialogut.
Njëri nga kryesuesit e Ekipit negociator, Fatmir Limaj, i cili është edhe zëvendëskryeministër i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mbështetësi kryesor i këtij procesi që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të duhet të garantohej nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Limaj nuk e ka mohuar e as pohuar se gjatë procesit të dialogut mund të ketë ndryshim të qasjes së dialogut, duke i dhënë edhe një dimension të ri përmes aktivizimit të diplomacisë fluturuese apo siç njihet edhe me termin ndërkombëtar ‘shuttel diplomacy’.
“Se rrugës (dialogu) a mund të ndryshojë, tash për tash është herët për të folur. Por, ky është pozicioni dhe është pozicion ndihmues për Kosovën. Unë besoj se ka ardhur koha që edhe Kosova edhe Serbia të ulën drejtpërdrejt edhe të mbyllin çështjet e tyre të hapura, gjithmonë me prezencën e partnerëve tanë të fuqishëm që na kanë ndihmuar ta ndërtojmë këtë shtet dhe të vijmë deri këtu ku jemi tani”, tha Limaj.
Nga ana tjetër, politologët nuk e përjashtojnë mundësinë që në faza të caktuara gjatë procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ketë edhe “diplomaci fluturuese”.
Profesori i shkencave politike, në Universitetin e Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha për Radion Evropa e Lirë se asnjë lloj forme apo metode nuk do të kontribuojë në zgjidhjen e qëndrueshme të konfliktit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, përderisa nuk krijohen parakushtet për paqe.
“Teorikisht do të ishte e mundur që në faza të caktuara gjatë procesit të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, apo siç e quajnë ata që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, si p.sh. BE, dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, të aplikohet edhe “shuttle diplomacy” [diplomacia fluturuese]. Megjithatë, asnjë lloj forme e metode nuk mendoj se do të kontribuojë në zgjidhjen e qëndrueshme të konfliktit serbo – kosovar, përderisa nuk krijohen parakushtet për paqe. E për këtë të themi që kërkim-falja shtetërore nga palët për krimet e kryera në emër të tyre, ofrimi i informatave për personat e pagjetur, e kështu me radhë, do të ishin shenja të vullnetit dhe të gatishmërisë për të tejkaluar konfliktet dhe për t’i dhënë një mundësi paqes së qëndrueshme në këto hapësira”, tha Hajrullahu.
Hajrullahu konsideron se jetësimi i të gjitha marrëveshjeve që janë arritur deri më tani do të ishte një veprim i duhur për të ecur përpara procesi.
“Me elitat politike aktuale në vendet gjegjëse nuk ngel shumë vend për optimizëm për një zgjidhje që do të ofronte paqe të qëndrueshme, e që po trumbetohet si marrëveshje historike”, tha Hajrullahu.
Edhe politologu, Ramush Tahiri, thotë se diplomacia fluturuese është një mundësi, apo siç thotë ai, një variant i mirë. Por, sipas Tahirit, në këtë fazë të ‘ngurtë të procesit’ nuk mund të këtë dhe as që mund të punohet në këtë drejtim.
“Në këtë fazë edhe diplomacia fluturuese nuk jep ndonjë rezultat, sepse duket se asnjëra palë nuk po pajtohet. Mirëpo, diplomacia e fshehur dhe diplomacia që është konkrete mund të arrijnë marrëveshjen përfundimtare. Kjo nuk nënkupton ketë Ekipin negociator, por nënkupton nivel të presidentëve ose kryeministrave, personalitete që e kanë të drejtën ligjore dhe kushtetuese për nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla dhe që në një mbledhje pak a shumë solemne, pa debat në Kuvend të miratohet”, tha Tahiri.
Tahiri, konsideron se tash kur procesi i dialogut është kthyer në pikën zero, siç thotë ai, dhe kur ka një mosbesim në Prishtinë te presidenti Hashim Thaçi, nuk mund të ketë nisma për një proces të tillë të bisedimeve, ndonëse si mundësi ekziston.
“Diplomacia ‘shuttle’, ose ndërmjetësuese apo fluturuese mund të përdoret, edhe zakonisht përdoret sepse shkojnë bashkëbiseduesit që janë të besueshëm në të dyja palët dhe bëjnë ndërmjetësimin dhe kur të afrohen debatet takohen fshehurazi, po flas për teknikat e bisedimeve. Dhe, kështu arrihet marrëveshja e cila dakordohet në çdo pikë dhe siç ka thënë presidenti (i SHBA-së, Donald) Trump, palët më pas shkojnë në Shtete e Bashkuar të Amerikës dhe e nënshkruajnë”, tha Tahiri.
Sido që të jetën gjatë kësaj jave Ekipi negociator, pritet të dorëzojë në Kuvendin e Kosovës platformën e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, ku me pas Kuvendi pritet ta miratojë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Amerika ka thënë se ka marrë porosi të qartë se pa pezullimin e tarifës doganore ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, nuk mund të vazhdojë dialogu në Bruksel./REL
Fraksion.com