Qeveria largoi mbishkrimin “Qeveria e Republikës së Maqedonisë”
“Qeveria e filloi edhe në praktikë zbatimin e Marrëveshjes së Prespës. Siç po e shihni, ndodhemi para godinës së Qeverisë, në të cilën tashmë nuk figuron mbishkrimi “Qeveria e Republikës së Maqedonisë”, pasi në të do të vendoset emri i ri “Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Nga Qeveria njoftojnë se pasi të pranojnë notën verbale nga Greqia, ndryshimet kushtetuese do të publikohen në Gazetën Zyrtare. Atëherë Institucionet e vendit do të vendosin mbishkrimet me emrin e ri dhe të përkthyera edhe në gjuhën shqipe. Tabela e parë me emrin e ri ka arritur edhe në pikën kufitare “Bogorodicë” që ndodhet mes Maqedonisë dhe Greqisë. Nga ministria e Punëve të Jashtme thonë se, pas notës verbale, dy shtetet do ta njoftojnë OKB-në për ndryshimin e emrit.
Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia do të dorëzojnë letër të përbashkët deri tek sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, me të cilën e njoftojnë Antonio Guteresh për datën e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes përfundimtare, me të cilën i vendoset fund kontestit bilateral disa dekadësh mes dy vendeve – njoftojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Ministria e Jashtme obligohet menjëherë t’i njoftojë edhe vendet tjera anëtare të OKB-së dhe organizatat ndërkombëtare. Por dhe 130 shtetet të cilat vendin e kanë njohur me emrin kushtetues. Shtetësia parashikohet të jetë “maqedonase/qytetar i Republikës Veriore të Maqedonisë” në të gjitha dokumentet e udhëtimit. Ndërsa ndryshimet e pasaportave dhe dokumenteve personale do të bëhen në pesë vitet e ardhshme. Dygjuhësia do të bëhet njëkohësisht, ndërsa Qeveria do të formojë edhe grup nga resorët e brendshëm për implementimin dhe mbikëqyrjen e Marrëveshjes së Prespës./Alsat
Fraksion.com