AktualitetBota+Të fundit

Maduro nis një manovër të madhe ushtarake në Venezuelë

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro urdhëroi nisjen e një manovre ushtarake të cilën e vlerësoi si më të rëndësishmen në historinë e vendit, e cila aktualisht është goditur nga një krizë e thellë politike.

Manovra e madhe ushtarake e forcave venezuelase do të zgjasë deri të premten.

“Duhet të përgatitemi për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë së Venezuelës”, tha Maduro në adresimin e tij para ushtarëve në bazën Guaicaipuro në provincën Miranda.

Duke potencuar se Venezuela ka luftuar për ruajtjen e sovranitetit për dy shekuj, Maduro tha se ushtria dhe populli janë gati të qëndrojnë në mbrojtje të shtetit dhe nderit.

Maduro mbrëmë porositi presidentin e SHBA-së Donald Trump të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Venezuelës.

Venezuela është prekur nga protestat që nga 10 janari, kur presidenti Nicolas Maduro dha betimin për mandatin e dytë pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga opozita.

Tensionet u përshkallëzuan, kur kreu i opozitës Juan Guaido më 23 janar shpalli veten si ushtrues detyre të presidentit, i mbështetur nga SHBA-ja dhe shumë vende të Evropës dhe Amerikës Latine.

Rusia, Turqia, Kina, Irani, Bolivia dhe Meksika mbështesin Maduron./AA

 

Fraksion.com