Ischinger: “BE-ja është shëndosh e mirë”
Në prag të fillimit të Konferenës së 55 të Sigurisë në Mynih, drejtuesi i saj Wolfgang Ischinger në intervistë për DW flet mbi sfidat për vitin 2019 dhe forcën integruese të BE-së.
Drejtuesi i kësaj konference Wolfgang Ischinger në një intervistë ekskluzive për DW u shpreh me shqetësim lidhur me zhvillimet mes SHBA-së dhe Rusisë. “Do të ishte një dështim i madh për të ardhmen globale, nëse ne do ta lejojmë një situatë, në të cilën shtetet e fuqishme të zhvillojnë një rivalitet klasik të fuqive të mëdha.”
Sipas tij ka mjaft të përbashkëta mes Rusisë dhe SHBA-së, mes Europës dhe Kinës e të gjitha kombeve, në mënyrë që ato të përpiqen edhe më tej për bashkëpunimin dhe integrimin duke i lënë më njëanë rivalitetet, “që duket se do të jenë motoja e 2019”, tha Ischinger. Për këtë duhet diskutuar në Mynih. “Ne do të kemi bisedime të vështira, për të arritur – shpresoj – që të përcaktojmë prioritetet, se cili drejtim i përgjegjshëm është i nevojshëm në vitin 2019.”
Ischinger thekson rëndësinë e BE-së si një shtyllë e rëndësishme e rendit të hapur ndërkombëtar dhe të bazuar në rregulla. Një ndër detyrat e rëndësishme të BE-së, thekson Ischinger, është të farkëtojë bashkëpunime dhe aleanca në mbarë botën. “Ne nuk jemi vetëm. Kanadaja, Australia dhe shumë shtete të tjera ndajnë interesat tona në tregtinë e lirë, frocojnë institucionet ndërkombëtare dhe një rend ndërkombëtar, duke u dakorduar për rregulla të përbashkëta.”
Nuk janë pak ata njerëz që i shohin me shqetësim zhvillimet e situatës në botë. Radari i Sigurisë 2019, anketimi “Wake-Up call for Europe”, që u organizua nga Zyra rajonale e fondacionit Friedrich Ebert për bashkëpunimin dhe paqen në Europë/Raporti i Sigurisë i Mynihut 2019, tregon, se 21 përqind e francezëve, 19 përqind e gjermanëve dhe15 përqind e rusëve besojnë, që situata politike ndërkombëtare në pesë vitet e ardhëshme do të përkeqësohet.
Ischinger nuk pajtohet me përshtypjen, se BE po pëson dëm nga dalja e Britanisë së Madhe. “Për mua është e rëndësishme, që ne në radhë të parë botës anglo-saksone t’i tregojmë, se është e gabuar përshtypja, që projekti i integrimit europian po shpërbëhet për shkak të Brexitit. Në fakt mbështetja për BE-në në shumicën e vendeve është rritur dhe nuk është ulur.”
Ischinger dëshiron që të tregojë në Mynih, se “Bashkimi Europian është shëndoshe mirë”. Këtë pritet ta theksojnë me fjalimet e tyre edhe një sërë referuesish nga Gjermania, Franca dhe vende të tjera europiane, duke përfshirë edhe presidencën rumune të BE-së.
Fraksion.com