Vazhdon konflikti Thaçi – Haradinaj; Presidenti nuk dekreton Ligjin për Pagat
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pritet që ta kthejë mbrapsht Ligjin për Paga, që u iniciua nga Qeveria Haradinaj, dhe ishte një nga kushtet e PSD-së për ta votuar buxhetin e këtij viti.
Pas votimit, Ligji për Pagat i është dorëzuar presidentit Thaçi, i cili po planifikon ta kthejë sërish në shqyrtim.
Ardian Arifaj, këshilltar i Presidentit, thotë se Thaçi po e shqyrton mosdekretimin e Ligjit të Pagave për shkak të ankesave që janë bërë.
“Për shkak të ankesave të pranuara, kërkesave të sindikatave dhe të shoqatave profesionale, të OJQ-ve, por edhe të shoqatave të veteranëve, presidenti po e shqyrton seriozisht mundësinë që të mos e ratifikojë Ligjin për Pagat dhe t’ia kthejë Kuvendit për rishqyrtim”, ka thënë Arifaj për lajmi.net.
Ligji i Pagave u miratua të shtunën në Kuvend. Ai u fut në rend të ditës pasi Partia Socialdemokrate kishte një nga kushtet ndaj Qeverisë për votimin e buxhetit.
Ndërkaq, kryeministri Haradinaj Ligjin për Pagat e uroi me krenari, duke thënë se tash po i rriteshin pagat në përgjithësi punonjësve publikë, ndërsa po i zvogëloheshin qeveritarëve. /Express/
Fraksion.com