Skandali me tenderat: Ja 3 ish-ministrat e Drejtësisë që do dëshmojnë
Pritet që Prokuroria e Tiranës të thërrasë për të dëshmuar 3 ish-ministra të Drejtësisë.
Konkretisht, do të thirren për të dëshmuar ish-ministri Ylli Manjani, Petrit Vasili dhe Gazmend Bardhi.
Mësohet se ata do të pyeten javën e ardhshme në lidhje me rolin e tyre në procedurat e prokurimit, sipas gazetës Panorama.
Burime konfirmojnë se sa i takon dy ishministrave Ylli Manjani dhe Petrit Vasili, nuk janë në hetim, por në proces verifikimi për këtë do të merren edhe dëshmitë e tyre. Duke qenë se kontratat vijojnë të jenë në zbatim edhe aktualisht, organi i akuzës do të kryejë një verifikim edhe për ministren aktuale të Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë kishte nisur prej muajsh një hetim, i cili u finalizua ditën e martë me caktimin e masave të sigurisë për 12 ishzyrtarët. Ndërsa disa prej tyre ishin thirrur pak kohë më parë për t’u marrë në pyetje.
Mësohet se njëri nga të arrestuarit, drejtori i Shërbimeve Ekonomike dhe Mbështetëse në këtë ministri, Aurel Lamçe, që njëkohësisht ishte i komanduar edhe si sekretar i përgjithshëm, është shoqëruar mbrëmjen e së martës nga oficerët e Antikrimit Ekonomik.
Ai ndodhej në një lokal në afërsi të Tregut Elektrik, kur u ndalua në zbatim të urdhrit të Prokurorisë.
Nën masë sigurimi “Arrest shtëpie” është dhe ish-sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha. Ndërkohë, në burg janë edhe dy ekspertë të IT, Lysien Ali dhe Arlind Alika.
Fraksion.com