Këshilli i Sigurimit shkurton numrin e mbledhjeve për Kosovën
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit u pajtuan të enjten që të shkurtohet numri i takimeve për Kosovës që mbaheshin çdo tre muaj deri tash. Me kërkesën e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane, u vendos që gjatë këtij viti të mbahen tri, ndërsa në vitin 2020 dy takime.
Vendimi u mor para takimit të së enjtes i cili sërish u përshkua me qëndrime tërësisht të kundërta të Kosovës dhe Serbisë ndërsa u mbizotërua nga çështja e tarifave të Prishtinës ndaj mallrave serbe, që ishte edhe pjesë e raportit të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, tha se vënia e tarifave “është e palogjikshme” dhe politikisht e motivuar. Sipas tij, tarifat po e pengojnë vazhdimin e bisedimeve dhe se vendi i tij beson se bisedimet janë e vetmja mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura”.
Ai mirëpriti kërkesat ndërkombëtare për heqjen e tarifave, por kërkoi më shumë trysni ndaj Kosovës për një gjë të tillë. Shefi i diplomacisë serbe kërkoi që të mos shkurtohet Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe të vazhdojnë takimet e Këshillit të Sigurimit.
Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, tha se është e papranueshme që takimet në Këshillin e Sigurimit “janë shndërruar në teatër nga Serbia përmes gënjeshtrave që as ata nuk iu besojnë. Kjo dhomë është duke u keqpërdorur për të treguar përralla e tregime fiktive nga Serbia”.
Ajo theksoi se UNMIK-u nuk ka rol dhe as mandat për ta ushtruar në Kosovë, ndërsa i bëri thirrje Serbisë që të “çlirohet nga Kosova” dhe ta njohë realitetin.
Ambasadorja Çitaku tha se vendimi i qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifave ndaj mallrave serbe, shtoi ajo, nuk ishte përgjigje ndaj fushatave agresive të Serbisë kundër Kosovës dhe se ajo po përdoret nga Serbia për të kushtëzuar bisedimet.
Ambasadorja britanike në Kombet e Bashkuara, Karen Pierce, shprehu keqardhjen që “nuk dëgjoi nga njëri prej folësve asnjë keqardhje, asnjë pranim të fajësisë për krimeve të luftës që janë bërë në terren dhe krimet që janë përcaktuar dhe përkufizuar nga Gjykata Ndërkombëtare që u themelua nga ky Këshill”, tha ajo
Ajo u bëri thirrje të dyja vendeve që të shfrytëzojnë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe të shmangin veprimet që nxisin tensione.
Përfaqësuesi amerikan, Jonathan Cohen, tha se është e mundshme që një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, të arrihet në vitin 2019, ndërsa vuri theksin tek mbështetja që kësaj mundësie i ka dhënë presidenti Donald Trump.
Ambasadori i Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit, tha se e vetmja rrugë për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian është njohja e Kosovës, ndërsa kritikoi fushatën e ministrit serb Daçiç për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
“Duke i nxitur vendet që ta tërheqin njohjen e Kosovës, ju jeni duke e qëlluar veten në këmbë dhe nuk e kuptoj këtë”, tha ai.
Ai tha se vendi i tij kundërshton çdo mundësi për ndryshimin e kufijve në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi.
“Asnjë në marrëveshje e Brukselit nuk flet për ndryshimin e kufijve apo shkëmbimin e territoreve. Ne në Gjermani mendojmë se këto përpjekje janë të rrezikshme për rajonin dhe e destabilizojnë atë”, tha ai.
Të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit i kërkuan Kosovës heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe.
Fraksion.com